Gjigandi farmaceutik AstraZeneca raportohet se ka pranuar se vaksina e saj e përdorur gjerësisht kundër Covid, e quajtur Covishield, mund të shkaktojë efekte anësore të rralla si mpiksje gjaku dhe numër të ulët të trombociteve.
Sipas Independent, vakisina u zhvillua nga kompania britaniko-suedeze në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe prodhohet nga Instituti i Serumit të Indisë, ndërsa u shpërnda gjerësisht në më shumë se 150 vende.
Disa studime të kryera gjatë pandemisë zbuluan se vaksina ishte 60% deri në 80% efektive në mbrojtjen kundër koronavirusit të ri.
Megjithatë, kërkimet kanë zbuluar që vaksina potencialisht mund të shkaktojë mpiksje gjaku tek disa njerëz, të cilat mund të jenë fatale.
Një padi e ngritur në Mbretërinë e Bashkuar pretendoi se vaksina çoi në vdekje dhe probleme serioze shëndetësore, duke kërkuar deri në 100 milion paund dëmshpërblim për rreth 50 viktima.
Një nga paditësit pretendoi se vaksina i shkaktoi dëmtim të përhershëm të trurit pasi ai zhvilloi një mpiksje gjaku, duke e penguar atë të punonte.
Ndërsa AstraZeneca i kundërshtoi këto pretendime, ajo pranoi për herë të parë në një nga dokumentet e gjykatës se vaksina “në raste shumë të rralla mund të shkaktojë TTS”, ose sindromën e trombocitopenisë, e karakterizuar nga mpiksje gjaku dhe numër të ulët të trombociteve.