Zbardhen detaje të reja nga atentati që iu bë 44-vjeçarit shqiptar në Belgjikë, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së dielës në rrethinat e Brukselit. Agustin Kaza vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30, në Schaarbeek në lokalin “Te Xhoni”, biznes që duket të jetë në pronësi të shqiptarëve.
44-vjeçari ishte i ulur në një prej tavolinave jashtë të lokalit me një tjetër person, kur autori iu afrua me qetësi nga pas dhe i ndaloi shqiptarit përballë duke e qëlluar të paktën 4 herë.
Sipas mediave belge, shqiptari ka marrë plagë në kokë e kraharor dhe vijon të jetë në gjendje kritike për jetën. Dyshimet e para janë se shqiptari u qëllua si pasojë e hakmarrjes.
Një hakmarrje që dyshohet se e ka gjenezën rreth 30 vjet më parë në Shqipëri. Ndaj dhe dyshimet kryesore janë se edhe autori i dyshuar është shqiptar.
Vëllai i tij, Martin Kaza, u dënua me 22 vjet burg në mungesë, në vitin 2011 nga Gjykata e Kurbinit për vrasje të dyfishtë.
Ai u arrestua në Britaninë e Madhe në 2016-n dhe u ekstradua në 2017-n. Martin Kaza jetonte në Britani që prej 2001 atje ku ishte arratisur e kishte kërkuar azil pas vrasjes së dy vëllezërve Agustin dhe Dod Gjini, ngjarje e ndodhur në 1997-n në Laç.
Kjo vrasje e dyfishtë në fakt pikënisjen e kishte më herët. Në 1994-n, Dod Gjini vrau vëllain e Martinit e Agustinit, komisarin Ndue Kaza.
Ngjarja në fjalë ndodhi në Rrëshen. Ndue Kaza ishte komandant i policisë kriminale të Mirditës dhe vrasja e tij erdhi si pasojë e një përplasje mes dy grupeve rivale.