Në datën 18 prill SPAK ka finalizuar një operacion kundër krimeve të mashrimit kibernetik të kryera nga Call Center.
Nga ky operacion janë identifikuar dy adresat e qendrës së thirrjeve dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti E.S., si pjesë e një rrjeti të qendrave të thirrjeve në katër shtete në Ballkan dhe Liban.
Në datë 18.04.2024, është kryer kontrolli i ambjenteve ku dyshohej se kryhej aktiviteti i qendrave të thirrjes, dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti në Tiranë.
Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe kontrolleve u arrit të sekuestrohen: 6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike.
Në lidhje me sasinë e lëndës narkotike të sekustruar janë arrestuar në flagrancë dy qytetar për të cilët hetimi është duke u ndjekur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Lidhur me personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale, po bëhet një analizë e hollësishme e të dhënave hetimore, me qëllim dokumentimin e përfshirjes së tyre në këtë aktivitet.