Besimtarët ortodoksë në Tiranë, por edhe në mbarë vendin kanë kujtuar sot atë që njihet si e premtja e zezë.
Besimtarët ortodoksë në kryeqytet, por edhe në Korçë e në qytete të tjera, kanë mbajtur shërbesën për Epitafin, ndërsa të dielën do të jetë edhe Pashka Ortodokse.
Për ortodoksët kjo është Java e Madhe e Shenjtë dhe dita e sotme përkon me të Premten e Zeze ku përkujtohen Pësimet e Jezu Krishtit.
Edhe në Shqipëri, në të gjitha kishat ortodokse janë zhvilluar shërbesat fetare. Pasditen e së premtes në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u kujtua kryqëzimi dhe varrimi i Krishtit në Jerusalem në kohën e Pontit Pilat.
Përpara fillimit të shërbesës, në të gjitha kishat është përgatitur një “varr” (Kuvuklion) në mes të Kishës i zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (Epitaf), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.