Partia Demokratike vazhdoi denoncimin e skandalit te Shkolla e Magjistraturës. Anëtari i kryesisë së PD, Ivi Kaso tha se Rilindja është duke e kapur drejtësinë me patronazhistë për dekadat në vazhdim. Ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë. Kaso tha se PD do depozitojë një padi në SPAK për këtë skandal.
“Pyetja është: po bordi që përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm (Olsian Çela) ministri i Drejtësisë (Ulsi Manja), kryetari i KLP etj (Alfred Balla), pse hesht? Ende nuk është thënë asgjë, ende nuk është marrë asnjë masë, ende nuk është bërë asnjë transparencë.
Partia Demokratike u kërkon aleatëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë publikisht për të penguar kapjen e sistemit të drejtësisë, jo vetëm për sot por edhe për pjesën e mbetur të shekullit. Një drejtësi klienteliste dhe politike, si kjo që po përgatit Rilindja është një sistem që bën me turp Shqipërinë, por edhe aleatët e saj.
Një drejtësi në dorën e një force politike është një fyerje për taksapaguesit amerikanë dhe europianë, për ekspertët e tyre, që kanë kontribuar në Shqipëri që nga viti 1992.
Profilet e bandës me 40 patronazhistë të Ali Babës së pseudodrejtësisë, të hetuara nga mediat këto ditë dëshmojnë qartë se të gjithë personat e shtuar në listën e fituesve punojnë në institucione të administratës, ose vijnë direkt nga zyrat e patronazhimit të PS” tha ai.