Ministri i Brendshëm, Taulant Balla njoftoi se është gjetur edhe trupi i fëmijës së dytë në Shkodër. Vazhdojnë kërkimet për fëmijën e tretë dhe nënën.
Dyshimet janë se ishte bashkëshorti, tashmë i arrestuar që e shtyu drejt aktit ekstrem nënën, e cila u hodh nga ura e lumit Buna bashkë me tre fëmijët.
“Sapo është gjetur edhe trupi i njërit prej dy fëmijëve të tjerë. Dhe sipas asaj që policia ka rindërtuar, dyshohet që edhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë në këtë zonë. Policia, RENEA dhe peshkatarët e zonës do të vazhdojnë për të gjetur nënën dhe fëmijën tjetër.
Kjo është një ngjarje e rëndë. Fjalët nuk i lidhim dot. Por dua që nga ky moment i vështirë t’u bëj një thirrje vajzave dhe grave në këtë vend që ta denoncojnë dhunën.
Ne kemi përgjegjësitë tona si shoqëri, duhet t’u japim më shumë besim vajzave dhe grave për ta kaluar këtë momentin e vështirë për të shpëtuar nga kalvari i vuajtjes dhe dhunës” tha Balla.