Nga Behar Jacaj
Që natyra njerëzore vdes për spektakël, kjo nuk është as sekret, as mëkat, por ta shohësh jetën e tjetrit, dhe çdo gjë tjetër, vetëm si një shfaqje që duhet gjykuar apo duartrokitur, përveçse primitive është edhe mëkat, edhe fatale.
Emri i Medeas është përmendur shumë këto ditë si një postulat i shenjtë që zbut tronditjen e tragjedisë duke vërtetuar se çdo gjë ka qenë e shkruar dhe që, fshehurazi, historia përsërit veten. Por, qëllimisht, ose nga padija, lihen pa u përmendur disa detaje të qenësishme.
Medea është një tragjedi e shkuar nga Euripidi rreth 2500 vjet më parë. Nuk ishte legjendë. Ishte SHFAQJE TEATRORE. Duhet theksuar kjo për ta zhveshur nga çdo mistifikim dhe për t’i hequr këto nuancat profetike që i mvishen, dashje, padashje.
Padyshim që studiuesit vazhdimisht e kthejnë shikimin tek autorët e antikitetit (Frojdi, kompleksin e Edipit dhe të Elektrës e zbuloi i frymëzuar nga tragjedi të antikitetit), sepse autorët e asaj kohe ishin të parët që studiuan marrëdhëniet bazë; prind-fëmijë, burrë-grua, vëlla- motër, marrëdhënie këto që, sipas shumë psikologëve, janë përcaktuese për krejt jetën e njeriut.
Medea e Euripidit vrau fëmijët për tu hakmarrë ndaj të shoqit tradhëtar, por nuk u vetëvra sepse ndryshe nuk kishte si ta shijonte hakmarrjen.
Euripidi i përligj bëmat e personazhit të tij me magji, me mallkime shtrigash dhe me vullnete Zotash, po ne si do e përligjim dramën, tmerrin e të cilës nuk e lan as Buna, as Adriatiku?
Përtej bindjes time, thuajse të verbër që nënat nuk janë kurrë fajtore, ndokush, ngushtëm mund të përgjigjet se drama e Bunës arsyetohet më së miri me shëndetin e munguar mendor të “Medeas”(bashkëshorti e ka cilësuar gruan si të sëmurë mendore. Veç kësaj, thuhet se ka një raport mjekësor për kurim depresioni).
Pikërisht këtu del klithma, që të çjerr, jo vetëm veshët, por krejt koren e trurit. Si dreqin është e mundur që, për dikë që thuhet se ka probleme mendore, jo vetëm nuk kujdeset kërkush, por i lihen në patronazh edhe tre fëmijë të mitur? Mediat, opinioni publik, krejt shoqëria jonë, më shumë se me nënën, me babanë, me ‘Medean’, me ‘Jasonin’, me dashnoren, me kunatën, me dreqin e të birin, duhet të merret me tre fëmijët e mbytur.
Janë ata kurbanët e pafajshëm të një mynxyre pa grimë shenjtëri. Janë ata tmerri i tmerrit. Si ai fëmija tek përralla e Andersonit që me pafajësinë e tij shpall lakuriqësinë e mbretit, ashtu edhe tmerri i tyre në rrjedhën e Bunës çjerrë maskën e shëmtuar të një shoqërie, që, në mos e vdekur, është në agoni të plotë.
Të gjithë kemi të afërm që jetojnë larg vendit (fatkeqësisht, këto kohë të paktë janë të afërmit që kemi në Shqipëri). Të gjithë i kemi dëgjuar të afërmit tanë emigrantë të ankohen se atje ku banojnë, nuk guxojnë as t’i bërtasin fëmijës së tyre, le më pastaj të vënë dorë mbi ta. “Sepse vjen e ti merr ‘shteti’ dhe nuk i sheh më me sy”-thonë ata. Shumë kush është tallur me këtë mendësi. Në mënyrë idioteske nuk është kursyer as anekdota banale e tipit: “Hajde deri në Rinas dhe ‘edukoi’ si duhet”.
Megjithatë kjo është një ndër urtësitë më të mira që duhet të merrnim nga vendet e zhvilluara. Të ndërtonim një sistem që ka në qendër fëmijët, që u vjen në ndihmë fëmijëve kur kanë nevojë dhe që i mbron ata edhe nga prindërit e tyre po të jetë nevoja. Ndaj them që shoqëria jonë është në agoni të plotë.
Sepse nëse do të ishte ndryshe, sot në mbarë Shqipërinë nuk duhet të bëhej diskutim tjetër veçse: Çfarë shoqërie kemi ndërtuar për të vegjëlit? Në shoqërinë tonë, kush kujdeset për fëmijët kur prindi nuk është? Po kur prindi është, por nuk është mirë?!