Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis gjatë një interviste për televizionin “Alfa”, e quajti normal takimin që Edi Rama do të zhvillojë ditën e nesërme me emigrantët shqiptarë në Athinë.
Mitsotakis tha se Greqia është një vend demokratik dhe nuk mund të ndalojë një kryeministër të huaj që të bëjë një takim me bashkatdhetarët e tij në Athinë.
“Greqia është një vend demokratik, i cili ka garantuar me kushtetutë të drejtën e tubimit dhe padyshim që askush nuk do ta ndalonte kurrë një lider të huaj që të vinte të bënte një vizitë private në vendin tonë, të bisedonte me bashkatdhetarët e tij”, tha ai.
Nga ana tjetër kryeministri grek nuk ka lënë pa shprehur pakënaqësinë e tij për kohën që ka zgjedhur Rama për të zhvilluar takimin në Athinë.
“ Nëse tani më pyesni nëse koha e kësaj vizite, disa javë para zgjedhjeve evropiane dhe me çështje të hapura lidhur me pakicën kombëtare greke në Shqipëri, është koha e duhur, do t’ju them se nuk është më e drejta. Koha . Por, përtej kësaj, mos i jepni më rëndësi”, shtoi Mitsotakis









