Një personi që jeton në Shqipëri i duhet të harxhojë 4.4 USD në ditë (sipas indeksit të fuqisë blerëse) vetëm për ushqim për të plotësuar nevojat e një diete normale, përllogarit Organizata Botërore e Ushqimit (FAO).
Kjo kosto është e vlefshme për vitin 2021 dhe është më e larta në Europë dhe në Rajon. Madje në renditjen globale me 163 vende, Shqipëria renditet në vendin e 28 për kostot e larta të dietës ushqimore ditore.
Indeksi i kostos së dietës ushqimore u gjenerua nga databaza e FAO-s dhe në Shqipëri rezulton të jetë e lartë, për shkak se në vendin tonë, pagat janë ndër më të ulëtat në Europë dhe gati 30% më të ulëta se Rajoni dhe nga ana tjetër, çmimet janë të larta dhe madje për disa produkte më të larta se në vendet e BE-se.
Indeksi i FAO-s llogarit si vendin me koston më të lartë të jetesës Xhamajkën me 7 USD për frymë për person, e ndjekur nga Grenada dhe Suriname me 6.1 USD secila.
Në anën tjetër, Britania e Madhe ka kostot më të ulëta të dietës ushqimore për person në ditë, sipas fuqisë blerëse me vetëm 2 USD në ditë, e ndjekur nga Irlanda me 2.2 USD.
Përgjithësisht kostot e larta të ditës ushqimore i kanë vende të varfra dhe ato në zhvillim.
Në Rajon, pas Shqipërisë kostot më të larta dietës ditore për ushqim i ka Serbia me 4.3 USD për person në ditë, e ndjekur nga Bosnja me 4.1 USD në ditë, Mali i Zi me 3.7 USD në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 USD në ditë./Monitor
Lexoni KËTU shkrimin e plotë