Një 40-vjeçar ka shkaktuar terror në qytetin e Durrësit. Siç njoftojnë autoritetet personi i identifikuar si Aleks Marku po mbante peng dy fëmijët e tij të mitur 6 dhe 11-vjeç, në një shtëpi të marrë me qira javore.
Fillimisht ishin raportuar të shtëna me armë zjarri, policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”. Kjo pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve.
Siç raportohet 40-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri ndaj efektivëve të RENEA-s, dhe pas disa orësh tratativa ai ka pranuar të dorëzohet. Ende nuk dihen shkaqet që shtynë babanë e dy fëmijëve të kryej këtë akt.
“Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.
Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë” njofton policia.