Me lot në sy, familja, shokët dhe kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë lamtumirën e fundit këtë të mërkurë 28-vjeçarit Novruz Cenalia, i cili u ekzekutua me armë zjarri dy ditë më parë nga Azgan Mërnica, i cili vijon që të jetë në kërkim. Bajram Yzeiraj, ish-drejtues i lartë i policisë së shtetit në një intervistë për “5Pyetjet.al” me “Skype” shprehet se vrasja nuk ka ardhur për grindje të çastit, por gjykon se ka pasur diçka të mbartur më parë. Më pak fjalë, “ka qenë gati, vetëm shkrepësja duhej” thotë ai.
“Ngjarja ka marrë jetën e një të riu, punonjësi policie, nëse do të kishte ndodhur ngjarja gjatë kryerjes së detyrës në një aksion policor do të ishte ndryshe sepse rrezikun në kryerjen e veprimeve policore punonjësit e policisë e vlerësojnë, janë të përgatitur. Kurse ngjarja e tillë nuk ka asnjë justifikim. Kjo është një ngjarje që duhet të tërheqë vëmendjen vetë policisë, opinionit, drejtësisë për të parë gjithsecili se cfarë ka lënë mangut dhe cfarë duhet të përmirësojë.
Në një ngjarje që për mendimin tim nuk duhet të jetë grindje e çastit. Gjykoj që ka diçka të mëparshme, të mbartur, e cila ka qenë gati, vetëm shkrepësja duhej. Mendimi im është se ka qenë e parapërgatitur dhe paramenduar. Duhet ta shikojmë në dy plane, edhe në planin e qytetarëve deri ku shtrihen detyrimet dhe të drejtat për përfaqësuesin e ligjit dhe organin e policisë për të parë marrëdhënien me qytetarët, ndër personale. Të mos nënvlerësojmë cdo lloj mosmarrëveshje apo grindje sepse një ditë mund të shfaqet si në këtë rast.
Bëhet fjalë për një të ri që ka pasur shenja të tilla edhe në të kaluarën, madje edhe vetë pjesëtarët e tjerë të familjes, diçka ka mbartur nga e kaluara, ndonjë konflikt apo ngjarje. Nuk është thjeshtë një përplasje e çastit. Ata njiheshin me njëri tjetrin. Ka rrethana të tjerë që e kanë shtyrë që të mos përmbajë veten. Shpresoj që hetimi ta zbardhë. Nëse do të ishte konflikt i çastit kalon tej normales” tha ai.
Më tej, Yzeiraj kërkon që “individë të tillë që kanë pritje të tillë, tendenca për krime kundër personit policia duhet t’i mbajë nën vëzhgim por nuk është e lehtë për t’i mbajtur nën kontroll. Nëse do të ishte kaq e lehtë do të ishte bërë zap krimi në familje”.
Thotë se policia nuk duhet të tërhiqet dhe ka besim se autori do të dalë përpara drejtësisë. “Nga anketimi që i është bërë opinionit është mbi 61% besimi i qytetarëve tek siguria dhe gatishmëria e policisë. Ekziston besimi për të dhënë informacion tek policia, por policia duhet të shtrihet për të marrë informacion. Policia nuk duhet të tërhiqet dhe unë kam besim se do ta gjejë autorin. Të mos ndodhë përplasje me armë, sepse kjo do të ishte më fatale pastaj”.
Por deri ku mund të shkojë policia përballë këtij agresori të armatosur, a mund ta qëllojë? “Policia, qëllimin e ka ta neutralizojë, ta kapë dhe çojë përpara drejtësisë, por nëse ndodh që ndonjë element qëllon me armë ata ndodhen para kushteve të mbrojtjes dhe nëse nuk ka asnjë mënyrë apo formë tjetër për ta shmangur këtë rrezik për jetën ata do të qëllojnë. Por nuk duhet të jetë kjo zgjidhja, por të kapet dhe të shkojë në gjykatë dhe të japë llogari për këtë ngjarje”.
Edhe nëse është arratisur jashtë vendi, Yzeiraj shprehet se ku do që të shkojë një ditë do të përgjigjet përpara ligjit për vrasjen. “Cdo gjë mund të ndodhë, por e gënjen mendja ata dhe të tjerët për ta strehuar apo shmangur. Nëse jo sot, nesër do të kapet. Nuk ka ku të shkojë do të kapet, madje do i shtohen akuzat. Kështu që e ka kot. Nëse sot punon vetëm policia shqiptare për ta kapur, nëse do të punojnë edhe të vendeve të tjera” përfundoi ai.