Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u shpreh sot se teksa Kosova po penalizohet e bllokohet nga vetë aleatët e saj, Serbia, sipas tij, nuk po ndëshkohet për politikat destruktive. Këshilltari i Bislimit ngre pyetjen se pse ta ruash integritetin territorial e sovranitetin është “gabim për Kosovën, e jo për Serbinë”.
“Edhe pse e mohon të kaluarën, presidenti i Serbisë po ia mbivendos asaj pikërisht kthimin në të kaluarën. Në leksikun e rrezikshëm të tij të artikuluar krah për krah me udhëheqësin shpirtëror të kishës ortodokse dhe aleatin e të tij më të rëndësishëm në Ballkan, Dodik, natyrisht që thelbësor do ishte dhe qëndrimi i stërthënë i tij: “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.
Natyrshëm, lind pyetja se: çfarë po bën Kosova në këtë mes, sa të njihet me penalizime e bllokime të vazhdueshme nga vetë aleatët e saj, ndërkohë që Serbia mëton e lirë në orbitën e politikave të saj destruktive pa u ndëshkuar ndonjëherë? Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë”, ka shkruar Kadiu në Facebook të shtunën.