Shtatë grupe kriminale që operonin në disa qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë, Rrëshen dhe Vlorë u goditën në dy ditë e fundit nga SPAK. Ndërkohë u firmosën 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe ushtarët e tyre.
Nga hetimet rezultoi se Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë prej gushtit të 2022 bëri aleancë me grupin kriminal të drejtuar nga ish deputeti socialist Arben Ndoka, raporton News24.
Ata kontaktuan grupe të tjera kriminale dhe rekrutuan vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit.
Qëllimi i tyre ishte ekzekutimi i kundërshtarëve. Njëri prej tyre ishte Durim Bami.
Ndoka dyshonte se Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka.
Për kokën e Bamit në ndihmë të Martinaj e Ndokës vjen Emiljano Shullazit dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli.
Shullazi kontaktoi një nga të besuarit e tij për vrasjen e Bamit si dhe siguronte informacione për lëvizjet e tij dhe ia dërgonte Arben Ndokës.
Megjithatë atentatet ndaj Bamit dështuan.
Bami nga ana tjetër, shfaqet në konflikt të hapur me grupet e Martinajt e Ndokës. Durim Bami bën aleancë me grupet e kundërshtarëve të Martinajt që drejtoheshin nga Leonard Duka dhe Indrit Doklen si dhe tentuan vrasjen e Martinajt, por dështuan derisa mbeti i bixhozit u zhduk pa gjurmë.
Bami tentoi edhe vrasjen e Arben Ndokës. Gjatë kësaj kohe, Bami me ndihmën e ish-oficerit të RENEA-s Altin Morina kultivonin lëndë narkotike./Panorama