Guvernatori Gent Sejko u thirr në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat me kërkesë të deputetëve të opozitës, ku mohoi përgjegjësitë e tij për skandalin e mikrokredive.
Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore dhe se në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria ‘Micro Credit Albania’ si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.
Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë.
Sejko iu referua disa herë Ministrisë së Drejtësisë dhe sistemit të përmbarimit apo gjykatave, si aktorë të përfshirë në procesin e mbledhjes së detyrimeve për kreditë e këqija, madje edhe prokurorisë se nuk i kishte informacion për dyshimet për “mashtrimin financiar”.
Guvernatori pretendoi se kishte marrë masa të njëpasnjëshme me synim mbrojtjen e konsumatorit që nga konstatimi i problematikës, por se ajo që po ndodhte me klientët ishte jashtë kompetencave të tij.
Sipas tij, BSH kishte bërë ekspertizën dhe kishte konstatuar probleme me risk të lartë tek shoqëria Micro Credit Albania (MCA) në vitin 2020, dhe ishin marrë masa rregullatore, si detyrimi i penaliteteve të mos ishte më i madh se 30 për qind e shumës së marrë si kredi. Për më shumë kliko KËTU