Pasditen e sotme në 16:00, pritet që trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho të publikojë listën paraprake të lojtarëve që do përfaqësojnë vendin tonë në Euro 2024.
Enigmat dhe pikëpyetjet janë të shumta në lidhje me lojtarët që do grumbullohen, kjo pasi trajneri brazilian që prej kohës që ka mare frerët e skuadrës, ka provuar një numër të gjerë lojtarësh, plot 40.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë ‘rrjedhje’ informacioni, por shumë emra janë përfolur se mund të mbeten jashtë.
Të sigurt deri më tani duken ‘shtyllat’ e ekipit, nisur nga kapiteni Berat Gjimshiti, tek Mitaj, Hysaj, Ismajli në repartin e mbrojtjes, ndërsa në mesfushë treshja Ramadani-Bajrami dhe Asllani duken të pa diskutueshëm në listë. Enigmat më të mëdha qëndrojnë në repartin e sulmit ku flitet për një listë të gjatë emrash.
Talenti Armando Broja pavarësisht sezonit jo pozitiv duket një garanci për Slyvinhon, pas tij flitet për Cikalleshin një sulmues i cili i jep eksperiencë ekipit.
Ndër të vetmit që është konfirmuar deri më tani është Ernes Muçi, si dhe lojtarët si Jasir Asani dhe Taulant Seferi, ndërsa shance mund të ketë dhe Muçolli me anësorin që ka bërë mirë këtë sezon.
Dilema kryesore kalon tek Mirlind Daku, sulmuesi i Rubin Kazan është një ndër më të vlersuarit në Rusi, por me Sylvinhon që e la jashtë dy miqësoreve të marsit, ka shtuar frikën se bomberi mund të jetë jashtë këtij Europiani.
Për tu vlerësuar është dhe Rey Manaj, i cili këtë sezon shpërtheu me gola në Turqi, megjithatë lojtari nuk jep përshtypjen si një i preferuar nga Sylvinho.