Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka folur rreth integrimit të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Sipas tij ky integrim i shpejtë është jo vetëm prioriteti i tyre si shtet por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare dhe nevojitet një dialog me të gjitha palët si brenda ashtu edhe jashtë vendit por edhe me vendet fqinje.
Gashi u shpreh se me hapjen e ndryshimeve kushtetuese do të angazhohet që të zgjidhet edhe statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila përkufizohet si gjuhë e “20 për qind” të popullsisë.
Lidhur me pohimet e BDI-së se është shkelur legjitimiteti i votës shqiptare ai thotë që “nuk mund të kërkosh vota nga të gjitha komunitetet dhe pastaj të thirresh në legjitimitetin e shqiptarëve”.
Gashi si drejtues i Kuvendit thotë që do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë dhe se do të respektojë të gjitha qëndrimet e tyre me qëllim forcimin e demokracisë parlamentare në vend.