-sidi education-spot_img
29.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Një valë ekstreme gjithandej Evropës

Kryesoret

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian dërgojnë mesazhe shqetësuese deri në Ballkan. Këto janë arsyet.

Zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian treguan se nën sipërfaqen e shoqërive evropiane është duke vluar ekstremizmi në rritje. Në Francë gati çdo i treti votues ka përkrahur partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, e cila në të kaluarën ka përfituar nga një kredi ruse. Partia e Le Pen tani është e para në Francë. Presidenti Emmanuel Macron, një kampion i paralajmërimeve të mëdha dhe përfundimeve pa rezultat, pësoi debakël. Politikat e tij kryesisht të djathta patën këtë efekt fatal: votuesit zgjedhin origjinalin, pra partinë e Marine Le Pen. Jo Macronin, jo kopjen.

Në Gjermani partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) ka dalë e dyta në nivel nacional. Në Gjermaninë lindore AfD madje prin. Dhjetëra skandale e dyshime për lidhje me shërbimet ruse dhe kineze nuk e dëmtuan AfD-në. Kush ka besuar më 1990 se në Gjermaninë lindore (ish-komuniste) më 2024 shumica do të votojë për një parti që Rusinë imperialiste e konsideron krejt në rregull?

Në Itali partia postfashiste e kryeministres Giorgia Meloni i fitoi dukshëm zgjedhjet. Në shumë vende partitë e gjelbra kanë pësuar debakël. Retorika e tyre apokaliptike se nesër në mëngjes bota nuk do të ekzistojë dhe se çdo shofer i Porschesë është kriminel, ka irituar shumë njerëz. Në kohëra krize shumica e votuesve me sa duket nuk i japin prioritet mbrojtjes së ambientit. Në Austri partia e ekstremit të djathtë FPÖ doli e para. Kjo parti mban lidhje të ngushta me ekstremistë politikë serbë.

Në përgjithësi në shumë vende janë forcuar dashamirët e Vlladimir Putinit dhe kundërshtarët e projektit evropian. Shqetësuese është se në shumë vende të rinjtë më shumë pëlqejnë partitë ekstremiste se konservatorët, liberalët apo socialdemokratët. Diçka ka shkuar huq me sa duket. Efekti TikTok nuk duhet injoruar. Një aplikacion kinez ku e djathta gjermane e prirë nga AfD ishte tejet e pranishme me vite. Muajve të fundit këtë e vërejtën edhe partitë e fjetura gjermane. Puna me të rinj nuk gëzoi prioritet të madh në partitë tradicionale. Ndalimi i TikTokut, luftimi i propagandës kineze dhe ruse është një mënyrë për t’iu përgjigjur rreziqeve. Por kjo nuk është mënyra e vetme. Më shumë sukses do të sillte sikur partitë e etabluara të merrnin seriozisht shqetësimet e të rinjve. A kam vend të rregullt pune apo jo? A jam punëtor të cilit i respektohet dinjiteti apo skllav i ndërmarrjeve që kanë vetëm një qëllim: rritjen e përfitimeve. Socialdemokratët në Berlin, të prirë nga tableta e gjumit me emrin Olaf Scholz, u përpoqën të fitojnë zemrat e votuesve me premtimin se do ta sigurojnë paqen. Cilën paqe? Mesazhi ishte: me neve nuk ka luftë. Por lufta nuk varet nga evropianët, luftën e ka nisur Rusia dhe nëse Evropa nuk e mposht hegjemonizimin rus në Ukrainë, shpenzimet do të jenë shumë më të larta kur trupat e Vlladimir Putinit do t’i afrohen Polonisë, për shembull.

Për ngushëllim mund të thuhet se partitë konservatore udhëheqin, por me zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian në politikën evropiane asgjë nuk do të jetë më e ngjashme si deri më tani. Zgjerimi i BE-së ka gjasa të varroset përfundimisht si projekt, pas mbi 20 vjet mashtrimesh të ndërsjella mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Për Ukrainën forcimi i të djathtës ekstreme (dhe i të majtës ekstreme në Gjermani) është lajm i keq. Eksponentë të partive ekstreme besojnë se fajtore për luftën në Ukrainë është Amerika, ndërsa Vlladimir Putini mbrojtës i burrave të racës së bardhë (dhe grave që përgatisin gjella në shtëpi dhe lindin fëmijë). Putini si mbrojtës i civilizimit oksidental? Ka njerëz në Evropë që besojnë në këso përrallash. Dhe nuk janë pak. Për fat të keq.

Arsyeja kryesore e forcimit të së djathtës ekstreme ka të bëjë me politikat e migrimit. Te shumë njerëz është krijuar bindja se në Evropë po vijnë pandërprerë refugjatë të cilët financohen nga arkat e shtetit pa bërë asgjë. Kjo akuzë është paushallizuese, por as liberalët, as e majta, as konservatorët tradicionalë nuk ia kanë dalë të gjejnë një zgjidhje për problemin e madh të refugjatëve. Shpesh madje e kanë injoruar. Nga viti 2013 në Mesdhe janë fundosur gati 30 mijë njerëz. Është një tragjedi ndaj së cilës është vështirë të gjendet një përgjigje e kënaqeshme për të gjithë.

E djathta ekstreme i ka recetat të thjeshta. Por në praktikë recetat e saj janë të pazbatueshme. Para se të vinte në pushtet, Giorgia Meloni premtoi masa radikale kundër migracionit. Përfundoi në Shëngjin duke lutur Edi Ramën për të zgjidhur problemin, ndonëse “modeli shqiptar” është vetëm luftim i simptomave, jo i problemit. Ardhja e refugjatëve në Itali vazhdon me intensitet të lartë, madje vijnë më shumë se në kohërat kur qeveriste e majta (aq e urryer nga Meloni). Krimet e shpeshta të fanatikëve islamistë në disa vende perëndimore kanë ndikuar gjithashtu në mobilizimin e së djathtës gjithandej. Secili azilkërkues kriminel që godet me thikë, automatikisht ia rrit përkrahjen ekstremistëve.

Edhe diçka tjetër i ndihmon ekstremistët: arroganca e elitave të BE-së, të cilat e kanë humbur kontaktin me njerëzit që punojnë gjithnjë e më shumë dhe fitojnë gjithnjë e më pak. Kësaj radhe ka të drejtë Lea Ypi, filozofja e famshme shqiptare me rrezatim global. Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit” ajo tha: “Gabimi më i madh i së majtës është se ka hequr dorë nga kritika ndaj kapitalizmit dhe këtë ia ka lënë fashistëve. Në vend të kësaj të majtit janë kujdesur për reforma në vendet e tyre, për të drejtat civile dhe lëvizje emancipuese. Krejt këto janë gjëra të mira. Por njëkohësisht ishin partitë socialdmeokrate, të cilat kanë çuar përpara reformat neoliberale në vendet kyçe europiane. Ato s’mund të jenë alternativë e së djathtës nëse vetë zhvillojnë politikë të djathtë në ekonomi”.

Në krejt këtë zymtësi sikur harrohet çfarë projekti i rëndësishëm, i pashembullt është BE. Një projekt i paqes. Një projekt i lirisë. Një projekt i mirëqenies. Një projekt i shanseve. Një projekt i afrimit dhe miqësimit të popujve, të cilët luftërat i shohin si diçka të paimagjinueshme. Me zgjedhjet e së dielës në Evropë fryn një erë e re. Është erë e ftohtë, pothuaj e acartë./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit