-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gentiana Sula: Çamëria në dosjet e Sigurimit – një hap në ndriçimin e një plage historike

Kryesoret

“Historia nuk është vetëm ajo që është shkruar në librat e historisë, por edhe ajo që ka mbetur në dosjet e arkivave, të panjohura dhe të papranuara për shumë vite.”

Çështja e Çamërisë është një histori komplekse dhe e dhimbshme. Kjo është çështja e një komuniteti kulturor me tradita të thella dhe rrënjë të forta në historinë e Shqipërisë, i cili është ndodhur nën goditjet e padrejta të historisë përgjatë shekullit të kaluar. Ky komunitet ka përjetuar periudha të dhimbshme që nga krijimi i shtetit shqiptar pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nën regjimin komunist.

Këtë vit përkujtojmë 80 vjetorin e  fitores mbi nazifashizmin në Shqipëri, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë globale, evropiane dhe atë te rajonit.  Në Shqipëri, kjo fitore mundësoi krijimin e një qeverie të re triumfuese mbi pushtimin, por që  përfundoi në një tjetër diktaturë nën komunizmin e Enver Hoxhës. Sidoqoftë lufta dhe vuajtjet e popullit shqiptar gjatë kësaj periudhe u bënë  pjesë e rëndësishme e ndërgjegjes kombëtare dhe kujtesës historike.

Lufta e Dytë Botërore solli një nga tragjeditë më të mëdha për popullsinë çame. Forcat greke kryen masakra të pamëshirshme ndaj çamëve, me rezultat eksodin dhe dëbimin e dhunshëm të tyre nga tokat dhe pronat e tyre. Megjithatë, për shumë vite, këto ngjarje nuk u dokumentuan dhe as u njohën siç duhet.

Dokumentimi i ngjarjeve të dhimbshme të eksodit çam ka qenë shumë i vonuar. Eksodi çam dhe masakrat që ndodhën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbetur të errësuara në histori për një kohë të gjatë. Një nga arsyet kryesore është se bashkësia u shpërnda anë e kënd Shqipërisë,  pa patur mundësi as te organizohej, as te udhëtonte për në shtëpitë e tyre.

Çamët nuk patën mundësi të artikulonin hapur identitetin dhe kërkesat e tyre etnike për shkak të censurës dhe kontrollit të rreptë politik gjate diktaturës komuniste. Çdo organizim politik apo shoqëror brenda komunitetit, ndonëse jetik për çështjen çame,  ishte i ndaluar. Çdo udhëtim jashtë Shqipërisë, ndonëse për çamët ishte kthim në shtëpi, konsiderohej tradhti ndaj atdheut dhe dënohej deri në 15 vite burg apo dhe me pushkatim në vend. Çdo kërkesë kulturore për identitet ishte e pakonceptueshme në një shtet dhe  shoqëri tërësisht të centralizuar.

Gjatë periudhës komuniste,  përveç dëbimit nga trojet e tyre, çamët përjetuan kufizime serioze të lirive të tyre.  Edhe pse regjimi komunist i njohu dhe i mbështeti integrimin e tyre ekonomikisht dhe shoqërisht, çamët nuk ishin në gjendje të artikulonin hapur identitetin dhe kërkesat e tyre etnike për shkak të censurës dhe kontrollit të rreptë politik.

Ekspozimi i dokumenteve arkivore nga AIDSSH lidhur me çamët  është një hap i rëndësishëm drejt evidentimit të së vërtetës historike. Kemi mundur të evidentojmë një koleksion dokumentesh nga Fondi i Ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen direkt me historinë e përzënies së çamëve nga tokat e tyre, dëmet ekonomike dhe masakrat e kryera ndaj tyre. Këto dokumente, që datojnë nga periudha para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përmbajnë raporte, relacione dhe statistika që hedhin dritë mbi një histori të fshehur për shumë kohë.

Në dokumentet e Drejtorisë së I-rë e Sigurimit të Shtetit, Fondi nr.4, gjejmë raporte dhe korrespondenca të ndryshme që flasin për masakrat e grekëve ndaj popullsisë çame. Ka statistika mbi refugjatët çamë, vrasjet dhe pronat që kanë lënë pas. Këto dokumente janë të një rëndësie të pazakontë, pasi sfidojnë narrativën e përgjithshme, dhe sjellin në pah një histori që duhet të njihet dhe të respektohet.

Arkivat përfaqësojnë një burim të pasur historik për të kuptuar periudhën komuniste. Arkivi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë pas shfletimit të 200 mijë fletë dokumente, regjistra, kartela dhe të dhënave lidhur me bashkësinë çame vë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve rreth 105 dosje nga tre fonde arkivore. Të gjitha këto dokumente janë burime historike me rëndësi të madhe kombëtare, që zbardhin jo vetëm çështje identitare të komunitetit çam, por edhe zbulojnë të vërteta që ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Besoj se ky koleksion arkivor ofron prova historike të reja dhe ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të çamëve, duke qene  i rëndësishëm për disa arsye themelore.  Së pari, këto dokumente ofrojnë prova historike mbi ngjarjet që shpesh kanë qenë objekt debati dhe mosmarrëveshje.

Së dyti, për çamët dhe pasardhësit e tyre, këto dokumente kanë një rëndësi të veçantë në aspektin emocional dhe identitar. Ato ofrojnë një dozë të drejtësisë historike dhe morale që ndihmon në ruajtjen dhe mësimin e historisë së popullit çam për brezat e ardhshëm.

Këto histori janë dhe  një shembull i veçantë se si përvojat individuale të një grupi të caktuar pasqyrojnë dhe kontribuojnë në kuptimin e historisë kolektive. Dhe ndërsa shoqëria shqiptare përballet me sfidat për të ardhmen, historia e çamëve mbetet një element i rëndësishëm për të kuptuar kompleksitetin e përvojës historike të Shqipërisë dhe rajonit më gjerësisht.

Prandaj, dëshiroj ti ftoj të gjithë familjarët dhe të interesuarit të plotësojnë formularët e kërkesave ne AIDSSH dhe të njohin më mirë historinë e komunitetit çam përmes leximit të arkivit tonë dhe lidhjes se tyre dhe me arkiva familjare apo dhe me rrëfimet. Kështu plotësohet mozaiku në kohë i të vërtetave historike te kësaj bashkësie, si  një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe drejtësisë për çështjen çame.

*Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit