Gratë mbeten më të interesuara për të punuar në administratë.
Të dhënat zyrtare të Departamentit të Administratës Publike tregojnë se 61% e aplikimeve u plotësuan nga femrat.
“Sa u takon të dhënave gjinore lidhur me përqindjen e aplikimeve, në 3112 aplikime unike, 39% e tyre janë kryer nga meshkuj dhe 61% nga femra” thuhet në raportin e vitit të shkuar të DAP.
Përveç aspektit gjinor, raporti mbulon edhe një përllogaritje të moshës mesatare të aplikantëve, por edhe të atyre punonjësve që duan të rriten në pozicion për të avancuar në karrierë.
“Krahas të dhënave të përgjithshme të rekrutimit dhe aplikantëve, me vlerë është edhe kuptueshmëria e disa elementeve të profileve të kandidatëve.
Ndaj dhe disa nga treguesit përqendrohen pikërisht te mosha e aplikantëve, për kategori të ndryshme pozicionesh.
Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikojnë, pavarësisht llojit të procedurës, ka qenë 33 vjeç, ndërkohë, mosha mesatare e aplikantëve për t’u pranuar në shërbimin civil ka qenë 31 vjeç dhe mosha mesatare e atyre që aplikojnë për ngritje në detyrë ka qenë 35 vjeç” thuhet në raport.
Një tjetër tregues që analizohet është edhe plotësimi i vendeve vakante nga punonjës brenda shërbimit civil dhe më pas nga aplikantë për herë të parë përmes konkurrimit. / Monitor