Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.
Deklarata përfundimtare thekson se karta e OKB-së dhe “respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit…mund dhe do të shërbjenë si themel për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”.
“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.
Viola Amherd, presidentja e Zvicrës e cila ishte nikoqire e samitit, tha në konferencë për media se fakti se “shumica dërrmuese” e pjesëmarrësve u pajtuan për deklaratën finale “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”. /REL