Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk u pajtuan për emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, në takimin e tyre më 17 qershor.
Mungesa e marrëveshjes u konfirmua nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Është detyra jonë që deri në fund të qershorit të biem dakord për kandidatët për postet kryesore në BE dhe agjendën strategjike”, tha Michel në fund të darkës së punës së liderëve evropianë.
Liderët u mblodhën mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në perpjekjen për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Kandidatura e shefes së deritashme të BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e bllokut janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.
Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas për pozitën e kryediplomatit të BE-së.
Ky ishte takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor dhe mendohej se do të ishte ndër samitet më të lehta të BE-së.
Krerët e shteteve dhe qeverive duhet të ishin pajtuar në parim për emrat për të cilët tashmë kishte një marrëveshje joformale.
Gjithçka ndryshoi kur liderët e atyre vendeve apo qeverive që vinë nga blloku popullor evropian kërkuan një pjesë në postin e presidentit të Këshillit Evropian./ REL