Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari me anë të një deklarate për mediat, ka denoncuar një aferë sipas tij të pastër korrupsioni.
Muçollari këtë herë ishte pranë drejtorisë së Aviacionit Civil në zonën e Tiranës së re, trualli i së cilës do të jepet nga qeveria për të ndërtuar kullë.
“Jemi këtu në zemrën e Tiranës së re, një nga zonat më të shtrenjta, dhe me dendësinë më të lartë në kryeqytet.
Godina pas meje, dhe gjithë hapësira, që aktualisht shërben si zyra e ambiente pune për Aviacionin Civil, shumë shpejt do t’i lërë vendin një kulle të lartë, që Edi Rama e ka planifikuar për një nga miqtë ose klientët e tij.
Plani jo transparent që ka kryeministri për godinat shtetërore, duket se nuk do të kursejë asgjë.
Trojet më të çmuara në kryeqytet do të kthehen në pazar të pastër me fitues të paracaktuar.
Kjo pjesë e Tiranës, ka nevojë për më shumë gjelbërim, më shumë ajër të pastër, me shumë hapësira për banorët. Ka nevojë për çerdhe, kopësht dhe shkollë.
Çfarë ofron Edi Rama është krejt e kundërta. Një grataçelë e re, që do të sjellë më pak gjelbërim, më pak hapësirë publike, më shumë ndotje të ajrit.
Asgjë nuk përfitojnë qytetarët nga ky projekt. Sepse nuk është zgjidhje as për kërkesat e mëdha për banesa, pasi çmimet në këto kulla janë të paprekshme nga njerëzit e zakonshëm” tha ai.