BBC ka shkruar një artikull për ndërprerjen e dritave dje në Shqipëri, Mali të Zi, Bosnje dhe zona të mëdha bregdetare në Kroaci. Gjigandi mediatik britanik thotë se ndërprerja e energjisë ndodhi njëkohësisht në të gjitha këto vende në një kohë kur rajoni është përfshirë nga një valë i nxehti.
“Në Shqipëri, zyrtarët thanë se e rikthyen energjinë elektrike pas gjysmë ore, por se kishte rrezik të lartë për të tjera “black out”-e, në një kohë kur përdorimi i energjisë është ende shumë i lartë”, shkruan BBC.
Madje sipas BBC, në Bosnje dhe Kroaci u fikën edhe semaforët duke krijuar kaos në Sarajevë, Split apo qytete të tjera të mëdha. Madje sipas britanikes në disa vende mungesa e energjisë ka zgjatur për disa orë dhe është mundur të rikthehet vetëm në mbrëmje.
Temperaturat, siç e kemi përjetuar, kanë shkuar deri në 40 gradë celsius. Ministri i Energjisë në Malin e Zi, Sasa Mujoviç doli në televizionin kombëtar ku tha se ka pasur një rritje të papritur të konsumit energjetik si pasojë e temperaturave të larta.