Burrat shqiptarë duket se janë frekuentues më të mëdhenj të aktiviteteve kulturore në vend në raport me gratë. Statistikat e kulturës 2023, të publikuara nga Instituti i Statistikave, tregojnë se për dy vite rresht, tendenca ishte e njëjtë. Meshkujt ishin 31.3 për qind pjesëmarrës në këto aktivitete në raport me femrat, 28.4 për qind.
“Në vitin 2022, 29,8% e individëve mbi 16 vjeç raportuan se morën pjesë rregullisht në të paktën një aktivitet kulturor me pagesë gjatë 12 muajve të fundit.
Për të dyja vitet, vihet re që burrat kanë përqindje më të lartë të pjesëmarrjes në aktivitetet kulturore krahasuar me gratë. Aktivitetet kulturore përfshijnë vizitat në teatër, kinema, koncerte, aktivitete sportive etj.” raportoi INSTAT.
Në publikim sqarohet se të dhënat, lidhur me numrin e aktiviteteve kulturore dhe numrin e pjesëmarrësve në aktivitetet kulturore bazohen në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës që INSTAT zhvillon dhe ato administrative, të siguruara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kjo statistikë mbi pjesëmarrjen në aktivitete kulturore për individët mbi 16 vjeç ende nuk është përditësuar për vitin 2023. Ndërkohë INSTAT ka përmbledhur në publikim të dhënat mbi numrin e shfaqjeve, premierave të organizuara gjatë vitit nga institucionet qendrore të artit, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Gjatë vitit 2023, janë organizuar gjithsej 1.175 shfaqje dhe premiera në institucionet qendrore të artit në të cilat morën pjesë 153.041 spektatorë. Për më shumë kliko KËTU