Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit N.O, për veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.
N.O i cili akuzohej për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës afër objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023 është dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë.
“I akuzuari N.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjete (15) muaj për veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23.06.2023, do ti llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. I akuzuari N.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj edhe për veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, e që konform nenit 44 paragrafi 1 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë, në shumë prej dymbëdhjetë mijë €uro (12.000 €), të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë, gjykata komfor nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së, dënimin me gjobë do t’ia zëvendësoj me dënim me burgim, duke iu llogaritur njëzet €uro (20 €), për një ditë burgimi”, thuhet në njoftim të gjykatës.
Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit N.O i vazhdohet masa e paraburgimit deri në kohëzgjatjen e dënimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Për më shumë kliko KËTU