Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për Associated Press.
Ai u shpreh se nuk ka pasur qëllim futjen në politikën greke por zgjedhja e tij si eurodeputet “do të ndihmojë në vënien në qendër të vëmendjes mbi një problem madhor me të cilin përballet Shqipëria, që është shteti i së drejtës”.
“Këtu, gjyqësori është krahu i gjatë i politikës,” shtoi ai. “Unë mendoj se këto probleme duhet të vihen në pah – mungesa e respektit për të drejtat e pakicës etnike greke, siç është e drejta e pronës … dhe për t’u qeverisur nga njerëzit që ai zgjedh.”
Beleri, i cili fitoi si eurodeputet i Greqisë, ka deklaruar se nuk kishte ndërmend që t’i futej politikës në Greqi, por tha se e bëri për shkak të nevojës.
“Nuk kisha ndërmend të hyja në politikë në Greqi, ishte për shkak të nevojës për të nxjerrë në pah këtë problem të madh,” tha Beleri, i cili theksoi se “kushdo që më njeh e di me siguri se do të preferoja të isha kryetar bashkie”.
Beleri u shpreh se beson se në qendër të çështjes së tij janë “interesat e mëdha financiare për sa i përket zhvillimit turistik”.
“Por është gjithashtu se kryeministri shqiptar nuk dëshiron që popullsia etnike greke të marrë pjesë në atë prosperitet,” tha ai.
“Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave tona njerëzore dhe të pakicave.”
Deri më tani, Komisioni i BE-së e ka trajtuar çështjen Beleri si një mosmarrëveshje dypalëshe, shkruan AP.
“Unë mendoj se Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian herët a vonë, por … me rregullat dhe sundimin e ligjit që i përshtaten një vendi evropian,” tha Beleri.