Seanca e sotme e Parlamentit ka nisur me një minutë heshtje për të kujtuar 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Kreu i PDIU-së, Shpërtim Idrizi kërkoi që parlamenti dhe qeveria të reagojë në një zë përballë Greqisë për të drejtat e shqiptarëve që u dëbuan me dhunë.
“Këtë vit u mbushën 80 vite nga qershori i mbrapshtë kur u shpërngulën me dhunë shqiptarët e Çamërisë nga trojet e tyre. Gjenocidi nuk ka moshë. Memoria e një kombi është më e madhe sesa e një njeriu. Jam këtu për ta sqaruar dhe për ta thënë më me forcë, masakrat ndaj të parëve tanë nuk i falim dhe nuk i harrojmë.
Një popull që harron është një popull që vdes. Ne nuk fajësojmë sot popullin grek, por politikën Zerviste të kohës dhe faktin që asnjë qeveri greke nuk mori guximin të shikonte në sy krimin e të parëve të tyre ndaj të parëve tanë. Kanë 80 vite që shkelin mbi jetët tona të humbura. Greqia ka 80 vite që mohon gjenocidin por mban në fuqi ligjin e luftës.
Ne të gjithë bashkë duhet të bashkohemi me dëshirën e vullnetin e shqiptarëve. Meqë kryeministri grek Mitsotakis na kujtoi fjalën e urtë greke se “si do të bish në gjumë edhe do të flesh”. Unë sot po i kujtoj një fjalë të urtë shqiptare, “uji fle, hasmi nuk fle”. Ne nuk duhet të flemë më për ligjin e luftës, Çamërinë dhe krenarinë kombëtare” tha ai.