Në Tiranë, Kuvendi u përfshi sot nga një debat i ndezur lidhur me aferën korruptive në spitalin onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku dyshohet të jetë zbuluar një skemë abuzimi në dëm të pacientëve me tumore.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha se ky abuzim i rëndë me detyrën i një grupi mjekësh, personeli e farmacistësh meritojnë ndëshkimin ligjor dhe moral, por deputetë të opozitës kërkuan dorëheqjen e saj.
Ndërkohë, gjykata e kryeqytetit miratoi sot masat e arrestit shtëpiak dhe detyrim paraqitje për 7 persona të dyshuar për shpërdorim detyre, mes tyre edhe zëvendës drejtoresha e Qendrës Spitalore.
Gjykata miratoi sot masat e arrestit shtëpiak për një mjek dhe një farmacist, si dhe detyrim paraqitje për 5 të dyshuar të tjerë, zëvendës drejtoresha Brikena Qirjazi e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, një mjeke, një koordinator, një ish specialiste e Qendrës aktualisht jashtë vendit, administratori i një klinike private.
Ky i fundit dyshohet për fshehje të të ardhurave, ndërsa administratori i farmacisë dyshohet për transport, tregtim dhe ruajtje të mallrave kontrabandë.
Ata u paraqitën sot në gjykatë për masat e arrestit, ku mësohet se nuk i kanë pranuar akuzat para gjyqtarëve. Për më shumë kliko KËTU