A është sheriati një rend i mirë juridik? Dy YouTuber-a diskutuan për këtë përpara dhjetë ditësh dhe qysh atëherë kjo çështje po preokupon mbarë Turqine. Në qendër të diskutimit është çështja, nëse YouTuber-i Diamond Tema me deklaratat e tij për Profetin Mohamed ka cënuar ndjenjat religjoze të popullsisë.
I këtij mendimi është presidenca dhe Ministria turke e Drejtësisë. Ato deklaruan, se ndaj Diamond Temas po hetohet ndër të tjera për “nënçmim të ndjenjave religjoze” dhe se është lëshuar urdhër-arrest kundër 30 vjeçarit.
Akt penal apo shprehje e lirë e mendimit?
YouTuber-i turk me origjinë shqiptare përpiqet përmes disa videove të shpjegojë, se nuk ka kryer vepër penale dhe se vetëm ka lexuar nga rrëfimet për Profetin nga koleksionet e pranuara në përgjithësi. “As juridikisht dhe aq moralisht këtu nuk ka problem”, përsërit ai. “Ta paraqesësh situatën të transformuar, sikur një i pa fe ka goditur një ithtar të sheriatit, ky është manipulim.”
Ky rast tregon edhe njëherë se sa thellë është e përçarë shoqëria turke. Disa janë të mendimit, se e gjitha çfarë ka thënë Diamond Tema, ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Të tjerë thonë, se ai e ka nënçmuar Profetin Mohamed dhe ka cënuar ndjenjat religjoze.
Çfarë ka ndodhur?
Në programin në YouTube Diamond Tema, një agnostik dhe laik i bindur, ka folur me influencerin nacional-konservator Asrin Tok. Tok e konsideron sheriatin një sistem më të mirë se sa demokracinë. Për rreth dy orë të dy diskutojnë për tema të ndryshme që nga të drejtat themelore dhe të pakicave e deri tek demokracia dhe barazia mes burrit dhe gruas./ DW