-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Modeli Ruanda

Kryesoret

Ruanda, një shtet afrikan me histori të dhimbshme, është i gatshëm të pranojë refugjatë, të cilët tentojnë të mbërrijnë në Evropë dhe rrezikojnë të vdesin në Mesdhe si 30 mijë të tjerë në 10 vjetët e fundit

Gerald Knaus është hulumtuesi më me ndikim në Evropë i çështjeve të refugjatëve dhe emigracionit në përgjithësi. Kjo vërehet shpejt ndërsa në një kafene në stacionin e trenit në Zürich ai shpjegon idetë e tij. Knaus sapo është kthyer nga Ruanda. Por për këtë pak më vonë. Knaus është themelues i European Stability Initiative (ESI), një think tank me seli në Berlin. Ai këshillon qeveri dhe institucione dhe është lansues idesh kreative për të trajtuar problemet e migracionit. Në vitin 2016 Knaus ndikoi dukshëm në arritjen e marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët. Shpjeguar thjesht: Turqia është vend i sigurt dhe refugjatët mund të rrinë në këtë vend me kusht që BE-ja e ndihmon Turqinë me miliarda euro. Kështu ndodh prej vitesh dhe kolonat e refugjatëve nëpër Ballkan janë ndalur.

Gjatë përpjekjes për të kapërcyer detin Mesdhe në 10 vjetët e fundit kanë vdekur gati 30 mijë njerëz. Si mund t’i jepet fund kësaj tragjedie? Gerald Knaus ka një ide: ai thotë se demokracitë e Evropës duhet të llogarisin në shtetet e sigurta të treta – dhe këtu mund të ndihmojë Ruanda. Modeli Ruanda parasheh që refugjatët ilegalë të sillen në shtetin e tretë (në rastin konkret në Ruandë) dhe atje të zhvillohet procedura e azilit. Australia e bën këtë prej vitesh. Atje refugjatët dërgohen në ishullin Nauru, i cili gjendet më shumë se 3000 kilometra larg bregdetit lindor australian. Britania e Madhe tashmë ka arritur një marrëveshje me Ruandën që refugjatët t’i kthejë atje dhe procedurat e azilit të zhvillohen në këtë vend afrikan. Edhe nëse një azilkërkuesi i refuzohet e drejta për strehim, ai nuk dëbohet nga Ruanda dhe mund të qëndrojë në këtë vend.

Pse e bën këtë Ruanda? Knaus ka këtë përgjigje: “Ruanda ka pak resurse, rrugët e transportit e bëjnë të shtrenjtë tregtinë me botën e jashtme. Përkundër përparimit të madh në zhvillimin e vendit që nga ferri absolut i gjenocidit në pranverë 1994, gjysma e popullsisë jeton në varfëri ekstreme. Kësaj duhet shtuar se sa i përket luftimit të varfërisë ekziston një strategji inovative, por mungojnë mjetet. Për projekte të tilla janë të mirëpritura paratë. Akterët kyç në Kigali janë të bindur se suksesi i kooperimit do të ndikojë që shtete të tjera të imitojnë Ruandën. Pastaj shtete të tjera do të thonë: nëse kjo funksionon mirë, edhe ne ofrojmë që në këtë mënyrë të reduktojmë migrimin e parregullt. Nëse në vend të kësaj zgjerojmë mobilitetin legal”.

Sipas Knaus modeli i Ruandës mund të funksionojë nëse plotësohen disa parakushte. Shtetet e treta të sigurta duhet të jenë vërtetë të sigurta, ndryshe shtetet juridike ndalojnë këto transfere. Qeveritë e shteteve europiane thonë se nga një ditë e caktuar refugjatët që vijnë ilegalisht do të kthehen në Ruandë. Kësisoj ardhja në Europë bëhet e pakuptimtë. Modeli i tanishëm është ai i Libisë: BE i jep para qeverisë libiane dhe forcat e armatosura dhe policore të këtij vendi pengojnë refugjatët të nisen nëpërmjet detit drejt Europës. Marrëveshje të ngjashme BE ka lidhur edhe me Tunizinë dhe Marokun. A është ndalur numri i refugjatëve? Jo. Andaj, sipas Knaus, opsioni tjetër është modeli i Ruandës. Para çdo vendosje të azilkërkuesve në Ruandë duhet të ketë një verifikim individual nëse për një person specifik dhe për arsye specifike Ruanda është apo jo e sigurt, shpjegon Knaus dhe tregon se si Ruanda në muajt e fundit e ka refomuar sistemin e azilit. Gjykatës ndërkombëtarë janë pjesë e instancës së dytë (apelit).

Europa i dërgon refugjatët në Ruandë dhe problemi u zgjidh? Kaq thjeshtë nuk është, kështu nuk është. Ruanda mund të ketë vetëm një efekt për trembjen e refugjatëve. Tingëllon më brutale se ç’duket. Nëse një shtet afrikan si Ruanda është i sigurt për refugjatët, pse t’i pranojë Europa ata? Nëse ka shtete të tjera të sigurta afrikane, të cilat janë të gatshme të bashkëpunojnë me BE-në duke pranuar refugjatë dhe si shpërblim marrin ndihma financiare nga Brukseli, atëherë pse të mos provohet ky model? Njëkohësisht BE duhet të jetë më hapur për migrantë legalë nga Afrika, për studentë afrikanë që duan të studiojnë në Evropë etj. Qëllimi është të ndalet vdekja në Mesdhe. Siç u tha: 30 mijë njerëz kanë vdekur në 10 vjetët e fundit. Një qytet. I zhdukur në det.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit