Partitë opozitare në Francë bënë disa marrëveshje të nxituara, në përpjekje për ta bllokuar fitoren bindëse të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 7 korrik.
Tubimi Kombëtar i Marine Le Penit siguroi më shumë vota në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative, që u mbajt më 30 qershor, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë.
Një numër i paprecedentë kandidatësh që u kualifikuan për rundin e dytë nga aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor, dhe nga koalicioni i qendrës i presidentit Emmanuel Macron, u tërhoqën, për t’i dhënë mbështetje kandidatit që ka më shumë gjasa të fitojë përballë kundërkandidatit nga Tubimi Kombëtar.
Në mesin e atyre që e braktisën garën, janë edhe disa ministra të kabinetit.
Sipas një numërimi të bërë nga gazeta franceze, Le Monde, rreth 218 kandidatë që do të mund të konkurronin në rundin e dytë, janë tërhequr.
Prej tyre, 130 ishin të majtë dhe 82 të qendrës.
Kandidatët kishin kohë deri në orën 18:00 të martën, për t’u tërhequr.
“Më duhet ta parandaloj Tubimin Kombëtar që të arrijë shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, sepse do të ishte – dhe e them nga thellësia e zemrës – do të ishte e tmerrshme për vendin dhe francezët”, tha kryeministri francez, Gabriel Attal./REL