Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka pritur sot kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve Takaaki Katsumata.
Pjesë e axhendës së delegacionit japonez në kryeqytetin shqiptar ishte edhe ceremonia e posaçme për nderimin me “Çelësin e Tiranës” të Kryetarit të Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi.
Në ceremoninë e nderimit Veliaj tha se i jepet në shenjë mirënjohje për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qyteteve tona.
Veliaj vlerësoi Komunitetin shqiptaro-japonez në Japoni si një faktor kyç në forcimin e lidhjeve mes Tiranës dhe Tokios dhe ftoi kompanitë japoneze për të investuar në fushën e teknologjisë.
Ndërsa kreu i Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi vlerësoi transformimin e Tiranës, përmes nismave e projekteve madhore, që sipas tij, kanë përmirësuar cilësinë e jetesës dhe e kanë përcaktuar Tiranën si një metropol dinamik e një pikë tërheqëse për investim dhe turizëm.