Dhomat e Specializuara nuk kanë ndonjë informacion shtesë për atë se çfarë ka ndodhur me kravatën kuq e zi të Jakup Kransiqit dhe pse i është kërkuar ta heqë. Në një përgjigje nga Haga për Express kanë thënë se informacionet e vetme për këtë çështje janë ato që janë thënë në seancën e djeshme.
Të hënën, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar sqarime nga gjyqtari, Charles Smith III, pasi ish-zëdhënësit të UÇK-së i është dashur ta heqë kollaren e tij me ngjyrat kuq e zi dhe me shqiponjën dy krenare. Nga ekipi mbrojtës kanë thënë se Krasniqi të njëjtën kollare e ka pasur edhe herë të tjera në sallën e gjyqit.
“Z. Krasniqi këtë kollare e ka veshur edhe herë të tjera. A mund ta dimë se pse i është hequr kollarja”, ka thënë një nga pjesëtaret e ekipit mbrojtës të Krasniqit. Gjyqtari Smith në seancën e 8 korrikut ka thënë se do të interesohet se çfarë ka ndodhur me kollaren e Jakup Krasniqit dhe se “Ju thash që do të interesohem dhe do t’iu them”, ka deklaruar gjyqtari Charles.
“Në këtë moment, informacioni i vetëm publik për këtë temë është ajo çfarë është thënë në seancën publike dje”, kanë thënë nga Dhomat e Specializuara. Në Kosovë ka pasur shumë reagime lidhur me kollaren e Jakup Krasniqit. Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja, ka thënë se është shumë shqetësuese ajo që po ndodh.