Në një përgjigje për DW, Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë: “Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike.
Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar,” thuhet në përgjigje.