Partia Socialiste dhe ajo Demokratike u bënë bashkë duke konfirmuar mbështetjen për projektdeklaratën e PDIU-së, Grupit Parlamentar Drejtësi dhe Integrim për t’i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se diskutimi nuk i bën keq askujt pasi edhe Greqia e ka pranuar se ligji është “budallallëk historik”.
“Një ligj absurd, i panevojshëm dhe i dalë kohe. Jo vetëm deklarata e Kotzias që e quan budallallëk historik apo Dendias që e quan atavizëm të panevojshëm, por edhe në takimet me homologët tanë e kemi bërë prezentë qëndrimin tonë.
Uroj që deklarata do të marrë qëndrimin e të gjithëve në parlament. Ne e kemi firmosur traktatin e paqes me Greqinë që në 1996, jemi anëtarë të NATO-s dhe KiE, OSBE dhe kudo, Greqia është aleate e vendosur e Shqipërisë dhe Ballkanit dhe diskutimi në Kuvend nuk i bën dëm askujt por ngre peshën e përgjegjësisë të qeverisë shqiptare për të abroguar këtë ligj” tha ajo.