Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në Samitin e NATO-s në Washington D.C. me ftesë e Presidentit Biden. Ajo shprehu mirënjohjen e saj ndaj SHBA-ve për përfshirjen e Kosovës në këtë forum të rëndësishëm të aleancës së shpresës.
Presidentja Osmani e vlerësoi si një moment të veçantë pjesëmarrjen në një Samit të këtillë.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, u prezantua edhe Iniciativa Compact Ukraine, një pjesë e angazhimit të NATO-s për sigurinë afatgjatë të Ukrainës. Kjo iniciativë synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës përmes një arkitekture gjithëpërfshirëse të sigurisë.
Në përfundim të Samitit, Presidentja Osmani falënderoi për kontributin dhe përkushtimin e Presidentit Biden ndaj Kosovës. Ajo gjithashtu pati mundësinë të bisedonte me liderë të tjerë nga disa shtete të botës për sfidat dhe mundësitë e ardhshme.