Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “jostabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”.
“Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
DASH tha se pikërisht për shkak të qëllimit të Rusisë, Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor që të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të avancohet reformat “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe do të sillnin paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.
“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve”, thanë nga DASH-i.
Në Kosovë udhëheqësit politikë së fundi kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Serbia po përgatitet për një sulm apo provokim ndaj Kosovës. Por, sa herë që autoritetet kosovare flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit.
Njohës të zhvillimeve në Ballkan, i thanë më herët gjatë javës REL-it se aleatja e Beogradit, Moska, po synon të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga lufta e saj në Ukrainë, dhe fuqitë e mëdha duhet t’i dërgojnë mesazh të qartë Serbisë se nëse vepron në veri të Kosovës, NATO-ja do të reagojë.
Po ashtu, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, James O’Brien, e cilësoi veriun e Kosovës – i banuar me shumicë serbe – dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës si rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.