Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes që ndodhi ditën e djeshme në Vlorë ku dy punonjës policie u dhunuan nga disa të rinj.
Ai u shpreh se kush godet dhe nuk i bindet policin po godet shtetin.
“Por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet”, shkruan Balla.
Reagimi i plotë
Në këto ditë të nxehta vere, si gjithmonë, Policia e Shtetit është #nëkryetëdetyrës 🙏 për të garantuar sigurinë tuaj kudo në të gjithë territorin. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit.
Kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet të kuptojë se po godet shtetin.
Nëse qytetari mendon se ai ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, qytetari ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhërin e punonjësit të policisë në rrugë administrative apo dhe penale, por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet.