Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas sulmit me molotov ndaj pastiçerisë “Sharr” në Mitrovicën e Veriut, ku ai kishte qëndruar më parë.
Sveçla theksoi në një postim në Facebook se që nga fillimi i angazhimit të tij tre vjet më parë, është punuar pa pushim për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë zonë, e cila më parë ishte nën kontrollin e grupeve kriminale serbe.
“Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut. Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Ministri Sveçla shprehu besimin se këto sulme nuk do të frikësojnë qytetarët dhe se rendi dhe ligji do të triumfojnë mbi terrorin.