Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, reagoi ashpër për rendin e ditës në Kuvend, duke kritikuar kohën e limituar për raportimin e drejtuesve të pesë institucioneve të drejtësisë. Ai theksoi se Kuvendi është kthyer në një “Republikë Kryeministrore” dhe shprehu shqetësim për mungesën e angazhimit të maxhorancës në këtë periudhë të vitit.
Sula vlerësoi rëndësinë e raportimeve, por e quajti të pamjaftueshme kohën e caktuar prej 25 minutash për një diskutim serioz.
“Jam i zhgënjyer me sjelljen e maxhorancës pasi jemi në gjysmën e korrikut dhe nuk kemi bërë asgjë për këto institucione, dhe ngelet gushti, kur është pushim. Institucionet e drejtësisë kanë paraqitur raportet e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, dhe është e pafalshme që mos të përfundojnë këto raportime. Vetëm këtu te ju ndodh. Ju injoroni gjithçka”, u shpreh Sula.