-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kim Mehmeti: Shqiptarët shtohen, Plazhi i Madh i Ulqinit mbetet saç ka qenë!

Kryesoret

Nuk ka verë të mos vij në Ulqin, sepse atë e dua dhe ai është pjesë e biografisë sime. Por Plazhi i Madh i tij kurrë nuk më është dukur  me kaq pak pushues, pa lazdranin fëmijërore, si i plogësht dhe i lodhur nga vetvetja.

Ekspertë e ‘shkathtë’ menjëherë i tregojnë shkaqet e rënies së numrit të pushuesve: çmimet e larta! Ndërkohë Ulqini që ka det, thuajse me asgjë nuk është më i shtrenjtë se Prishtina që nuk ka as lum, se Tirana të cilën e qelb Lana dhe Shkupi të cilit Vardari i kalon në mes, thuajse vetëm sa për ta ndarë pjesën shqiptare të tij ku mezi merret frymë nga ajo maqedonase me përplot gjelbërim dhe ku mungojnë vetëm palmat.

Andaj, them në vetvete, mbase nuk janë në pyetje çmimet e larta, por rritja e numrit të shqiptarëve që duan të ushqehen me mish e peshq, por që kanë para vetëm sa për të paguar atë që hanë nëpër shtëpitë e veta: bukë, domate e djathë!.

Sidoqoftë edhe sivjet, si edhe shumë vite më parë , kam ndjenjën se nuk vij në Ulqin që të pushoj, por që të ‘lodhem’ duke e ndërmendur të shkuarën. Si për shembull, vitet e rinisë, kur për ne shqiptarët e Maqedonisë, Ulqini ishte shumë më i largët se sot, sepse duhej t’i biem rreth e rrotull Shqipërisë dhe ngaqë ishim të paraparë t’u shisnim akullore e petulla pushuesve gjerman, e jo të laheshim në det.

Disa nga ne edhe asokohe vinim në Ulqin në rolin e pushuesve. Por me ‘bukën tonë’ dhe me bujtinë të ‘rezervuar’ nën hijen e ndonjë pishe te Plazhi i Madh. E ku arrinim me makinën e famshme në formë veze, të quajtur ‘FIço’, që ishte shpikje italiane e prodhim jugosllav dhe që, nuk kishte mjaftueshëm vend as për grahësin e saj e le më për ne katër vetat që nuk ishim të sigurt nëse ajo do na çonte neve deri te Pazhi i Madh, apo ne atë deri te punëtoria e vogël e ndonjë automekaniku ulqinak.

Dhe kur arrinim atje nuk harronim t’i afroheshim Bunës, duke ëndërruar që një ditë të dalim matanë lumit, atje ku kishim mëmëdheun dhe ku do mund të pushonin ‘shqip’ e jo ‘serbisht’.  Por pa e ditur se përderisa nga kjo anë e lumit, pra përderisa te Plazhin i Madh i Ulqinit pushonin gjermanët, atje matanë, në plazhin e Velipojës, kullotnin gomarët.

Përndryshe edhe ne të rinjtë e asaj kohe, njësoj si këta të sotmit, fotografoheshim duke u hedhur në det. Dhe fotot e atëhershme bëheshin krejt ndryshe dhe ishin bardh e zi, por ne i shinim në ngjyra. Mbase pse në prapavijën e tyre shiheshin shpresat tona rinorë për një të ardhme të ndritur, e jo si në këto të sotmet të bëra me telefona celular, të cilat janë në ngjyra, por që rrezatojnë vetmi.

Më vonë, kur unë isha në moshën që kanë sot fëmijët e mi, e kur ata ishin sa fëmijët e tyre tani, Plazhi i Madh i Ulqinit thuajse mezi mund t’u bënte vend të gjithë atyre që donin të rreziten mbi zallin  e tij. Dhe asokohe mua më dhimbseshin shqiptarët e Maqedonisë që e ushqenin me akullore e petulla thuajse tërë  bregdetin jugosllav , por pa mundur ta shijojnë ujin e njelmët të detit.

Për dallim nga atëherë, sot më dhimbsen ulqinakët të cilët mbase edhe gabuan kur nisën të besonin se  nuk kanë nevojë më për shqiptarët e Maqedonisë, se ata vet do mund të bëjnë byrek të shijshëm si ai i tetovarëve dhe se akullorja bëhet nga uji i ngrirë e jo nga qumështi.

Përderisa shëtis bregut të detit, më bëhet se i dëgjoj thirrjet e largëta to shitësve të gazetave, në të cilat njësoj si sot, dominon lajmet për luftërat që kanë nisur qysh se botën e kanë populluar njerëzit, e që do përfundojnë kur të mos këtë njeri mbi tokë. Pra lajmëronin edhe për luftën në Palestinë ku qartë thuhej se Izraeli është okupator e palestinezët viktimë, edhe atë jo vetëm pse Titoja e Arafati ishin si vëllezër të një nëne,  por pse mediat e asaj kohe nuk redaktoheshin në një kryeqendër të botës.

Po pra, nuk ka verë të mos vij në Ulqin. Mbase jo gjithaq për të pushuar, por që të pushojnë nga unë familjarët e mi, të cilët, si i papunë që jam, për çdo ditë i bezdisa me përshkrimin e asaj që ishte dikur. Si dhe duke i lodhur me shpjegimet se numri i pushuesve bie çdokund, e jo vetëm në Ulqin. Dhe mbase jo shkaku i çmimeve të larta, por pse numri i banorëve të botës dhe ai i shqiptarëve rritet, por toka dhe Plazhi i Madh i Ulqinit janë aq saç ka qenë gjithmonë. Kështu që nuk kanë mjaftueshëm ushqim të lirë për t’i ushqyer të gjithë skamnorët e kësaj bote!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit