Për shkak të temperaturave të larta, që sot do të shkojnë mbi 42 gradë, qeveria vendosi që të bënte disa ndryshime të orarit të punës për punonjësit e administratës. Në propozimin e bërë publik ditën e sotme, thuhet se administrata do duhet të punojnë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten, dhe 6 orë të premten.
Ndërkohë, fashën e orareve se kur duan të vijnë në punë mund ta zgjedhin vetë, mjafton që puna të mos lihet bosh çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
“Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.
Specifikisht, në kuadër të këtij projektvendimi propozohet në institucionet e administratës shtetërore:
- Kohëzgjatja ditore e orëve të punës të jetë 8 orë e 30 minuta nga e hëna deri të enjten dhe 6 orë ditën e premte.
- Orari ditor i punës të jetë fleksibël, me kushtin që të plotësohen orët e plota (pra 8.5 orë dhe 6 orë).
- Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
Kjo iniciativë vjen si përgjigje për të përmirësuar fleksibilitetin dhe efikasitetin në administratën publike, duke reflektuar nevojat e punonjësve për një orar më të përshtatshëm dhe një balancim më të mirë të jetës dhe punës.
Ky ndryshim nuk është i lidhur me temperaturat e larta të ditëve të fundit, sikurse është publikuar në disa portale, por me injektimin në mënyrë të qëndrueshme të fleksibilitetit në punë” thotë qeveria.