Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi vijoi denoncimet për aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës. Këlliçi ka paraqitur dokumente në lidhje sipas tij të Elton Buallit, “njeriu i cili ka marrë 310 mijë euro nga fondet e BE-së për të ndërtuar një serë në landfillin e Sharrës”.
Deklarata e plotë
Ditën e martë, Prokuroria e Posaçme bëri publike masat e reja të arrestit për punonjësit e inceneratorit fantazmë të Tiranës, duke i quajtur ata një Grup të Strukturuar Kriminal.
Çuditërisht mes këtyre 8 shtetasve, mungonte një ndër emrat kryesorë të kësaj bande, zbatuesi i të gjithë punëve të pista brenda dhe jashtë vendit të dyshes Mërtiri-Zoto, shtetasi Elton Bualli. Se kush është ky personazh, ju ftoj të ndjekim këtë video të shkurtër.
Në 18 tetor të vitit 2020, së bashku me deputeten Ina Zhupa, shkuam në landfillin e Sharrës për të denoncuar skemën kriminale të vjedhjes të 130 milionë eurove, përmes një inceneratori që nuk ekzistonte në këtë landfill.
Siç e patë dhe në video, personi i cili na sulmoi ne dhe gazetarët e pakët prezent, ishtë pikërisht Elton Bualli.
Ky individ, herë shfaqet si drejtor i inceneratorit të Elbasanit, herë shfaqet si drejtori i inceneratorit Tiranë, herë shfaqet në komunikimet e tij me zyrtarët në Zimbabëe, herë shfaqet në komunikimet në Hollandë, herë shfaqet duke dhënë urdhëra në e-maile për biznesin e dherave, e çuditërisht ky zotëri shfaqet në komunikimet mes zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë për investime resortesh qindra milionë euro në Tunizi.
Ky individ, ndërkohë na shfaqet edhe si biznesmen. Këtu po ndalemi për një çast: Në ekran do të shihni një kontratë noteriale borxhi të tetorit të vitit 2021, në të cilën inceneratori i Tiranës, i jep gjysëm milioni euro borxh kompanisë së Elton Buallit, për të blerë toka pranë landfillit të Sharrës.
Me paratë e inceneratorit fantazmë, ose më saktë me paratë e qytetarëve të Tiranës, ky shtetas ka blerë 10.500 m2 tokë në Sharrë, siç mundet ta shihni në këto dy çertifikata pronësie. Por bujaria e Grupit të Strukturuar Kriminal drejtuar nga Erion Veliaj, nuk mbaron këtu.
AZHBR i ka dhënë këtij individi plot 310.538 euro për të ndërtuar një sere, pikërisht mbi këto dy parcela toke që ju treguam më sipër.
Të nderuar qytetarë,
Ende sot që flasim, SPAK ka harruar të arrestojë këtë individ, SPAK ka harruar të vendosë sekuestron mbi këto parcela toke të blera me taksat e shqiptarëve, e mbi të gjitha SPAK ka harruar të sekuestrojë serën e ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe atyre europianë. Për shkak të këtyre vjedhjeve, sot fermerët shqiptarë nuk mund të përfitojnë dot më fondet e IPARD.
Dua t’i drejtoj dy pyetje kreut të organizatës partnere të PS, Altin Dumanit.
- Përse është amnistuar shtetasi Elton Bualli?
-
E kujt është sera dhe toka që SPAK ka frikë të sekuestrojë?
Për çdo qytetar shqiptar, sot është fare e qartë skema e vjedhjes së qindra milionë eurove me inceneratorin e Tiranës nga Grupi i Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, drejtuar nga Erion Veliaj, por është edhe më e qartë amnistia që SPAK po i bën kreut të këtij Grupi të Strukturuar Kriminal.
Garantojmë qytetarët shqiptarë, se ne jemi të vendosur të bëjmë publik çdo fakt dhe provë dhe të çojmë përpara drejtësisë kupolën kriminale të ‘Rilindjes’.