-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BE 13 mln €/ Ushtaraku te 5Pyetjet.al: Ringjallni industrinë e armatimit, harrojeni NATO-n

Kryesoret

Pak ditë më parë Këshilli Evropian miratoi një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Shqipërisë. Fondi është ndarë për të mbështetur forcat e armatosura shqiptare në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes. “Kjo nismë synon të forcojë aftësitë ushtarake të Shqipërisë dhe të rrisë sigurinë rajonale”, tha Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Por a mjafton kaq? Memush Habilaj, ushtarak me mjaft eksperiencë dhe njohës mjaft i mirë i industrisë dhe sigurisë në një intervistë për gazetarin Dylber Balla për “5Pyetjet.al” deklaroi se më këtë shumë vetëm sa mund të niset procesi i ringjalljes. Më tej, ai tha se investimi duhet lënë në dorën e privatit, pasi nuk ka besim tek shteti.

Theksoi se mund të prodhohen jo vetëm fishekë por edhe armë, etj. Nisur nga konteksti botëror, por edhe faktin që vetëm dy ditë më parë kërkuam heqjen e ligjit të luftës me Greqinë që është ende në fuqi, Habilaj u shpreh se duhet të mbrohemi vetë dhe të mos i varim shpresat të gjitha tek NATO.

Intervista e plotë me zotin Memush Habilaj

Zoti Habilaj, a mjaftojnë 13 milionë euro për të nisur rilindjen e industrisë së prodhimit të armatimeve?

Ne kemi pasur një industri ushtarake mjaft të zhvilluar. Si objekte kryesore kemi pasur rreth 20 objekte industriale dhe 20 linja të tjera të shpërndara në industrinë e vendit që mbështesnin industrinë ushtarake të vendit. Dhe kjo vlerësohej jo më pak se 1 miliard dollarë në 1990. Gjithë kjo vlerë e madhe e cila është dëmtuar shumë, disa nga objektet janë shkatërruar me një strategji të caktuar që Shqipëria të ishte pa një industri për të siguruar mbrojtjen. Por disa kanë mbetur pa u prekur dhe disa janë në fazë të dëmtimet.

Ringjallja e kësaj industrie do të shkojë paralel me ringritjen e shtetit që po e merr veten pak e nga pak. 13 mln euro janë vetëm sa për të filluar programin e industrisë ushtarake. Kjo është vlerë relativisht e vogël. Me këtë shumë mund të fillohej programi por për të ngritur industrinë kërkohen shifra shumë më të mëdha. Nëse do të ketë persona të përkushtuar, industria mund të ngrihet.

Si fillim me ato pak fonde më pas do të kërkojë gjithnjë e më tepër sepse është shkatërruar shumë baza ekzistuese. Duhen bërë programe shumë serioze. Duhen gjetur njerëz të aftë dhe duhet bërë me kompani të caktuar të prodhimit të armatimit që ekzistojnë në Europë. Mund të fillohet nga prodhimi me material porositës sikur bëhet tani në kombinatin e Poliçanit ku prodhohen municione me porosi, ku sjellin lëndën e parë, paguajnë fuqinë punëtore dhe marrin materialin sikur kanë bërë porosinë.

Kjo sipas jush mund të bëhet me koncesion duke ia lënë privatit?

Unë nuk kam besim tek shteti sepse siç ka vepruar shteti deri tani kanë humbur vlera të mëdha dhe janë zhdukur, kështu do të veprohet edhe në industrinë ushtarake. Duhet të bëhet me konkurrim, ta marrë privati përsipër.

Por a mund të jepet siguria me koncesion?

Mund të jepet. Ai koncesionari duhet të jetë serioz dhe jo njerëz që të marrin paratë dhe të zhduken. Nëse shteti ka vullnetin për të bërë punë të tilla, bëhen. Koncesionari e zgjidh vetë për bashkëpunim këtu apo vende të ndryshme dhe nëse është i aftë dhe e kupton këtë biznes do të gjejë fitime të mëdha nga kjo industri.

Në të gjithë botën lobet e industrisë ushtarake janë shumë të fuqishme dhe diktojnë politikat. Në SHBA, lobi republikan bazohet mbi industrinë ushtarake. Një aeroplan bombardues shkon deri në 200 mln dollarë dhe fitimi arrin deri në 100%. Një automatik që në Shqipëri mund të shkojë 400-500 Euro do të shitet në tregun ndërkombëtar deri në 2 mijë euro.

Por deri në çfarë niveli mund të prodhojmë, përveç fishekëve mund të shkojmë deri tek armët?

Po. Por më parë duhet bërë një inventarizim i makinerive.

Çfarë gjendje janë sot makineritë?

I kanë rezistuar kohës uzina e flotës në Pashaliman, ajo u ruajt edhe më investimin e shtetit turk. Ajo sot mirëmban anijet dhe prodhon skafe, prodhon anije. Ekzistojnë mundësitë. Ose të marrim, për shembull të marrim kombinatin e Poliçanit që punon me material porositës, bën fishekë dhe municione për anëtarë të NATO-s. Ai mund ta zgjerojë aktivitetin. Por teknologjia është goditur shumë.

Janë shpërdoruar lëndët e para që janë shumë të shtrenjta. Administrata e Kombinatit ndodhet në gjyq sikur kam dëgjuar pasi janë vjedhur dhe shitur 50 ton bronze dhe tunxhe, janë bërë abuzime të jashtëzakonshme. Nëse do të ishin lëndët e para, ndihmojnë shumë në riaktivizimin e uzinës. Nuk e di gjendjen e automatëve të prodhimit të fishekëve. Por prodhimi që do të bëjmë ne tani do të jetë i një standardi tjetër. Meqë jemi në NATO do të bëjmë ato prodhime që përdoren në NATO.

Privati prodhoi makinën e parë të blinduar ushtarake shqiptare, SHOTA….

Po. Por nuk është problemi një, por në seri. Por kjo tregon se ka mundësi që të bëhet, por duhet të kalohet në prodhimin e zgjeruar. Se mund të vijë porosia që si ajo makinë duhen 300 copë.

Përtej automatikut, çfarë tjetër mund të prodhojmë?

Ne kemi prodhuar, fishekët e të gjitha llojeve. Municionet e të gjitha llojeve. I kemi prodhuar në Poliçan. Pistoleta masive ‘TT’, pushkë gjysmë-automatike me 10 fishkë, tjetra me 20 fishekë. Këto prodhoheshin në seri. Prodhimi i tyre shkonte deri në 30 mijë copë në vit. Pastaj vinte kallashnikovi dhe mitralozi.

Në vitet e fundit edhe mitralozi kundërajror. Madje u bënë prova, një linjë e veçantë me çelik special vendas. Por më pas erdhi viti ’90, ndryshuan strategjitë derisa u rrënuan. U bënë plane dhe studime që të prodhoheshin edhe pjesët e artilerisë. Ka qenë një projekt i madh dhe organizua dhe u bë për të prodhuar të gjitha municionet që përdor NATO. Ai projekt u zhduk, por ndoshta u ruajt dhe mund të përdoret tani.

Po burimet njerëzore?

Kjo si fillim do të jetë e vështirë, sepse shumë specialistët duarartë nuk janë më. Ata kishin punuar me kinezët, suedezët, zviceranët. Pas viteve ’90, uzinat u shkatërruan dhe njerëzit ikën në emigracion. Shumë inxhinierë që për mua kanë qenë shumë të zotë kanë ikur jashtë shtetit. Shumica janë tani edhe të moshuar që nuk i angazhon dot por në organizim dhe dhënien e mendjes janë të vlefshëm dhe mund t’i marrësh. Por do të fillojë përgatitja e një kuadri të ri.

Por sa kohë duhet që ne të prodhojmë vetë?

Nëse marrim një teknik që drejton një torno, që do të prodhojë detale të caktuara të armatimit. Ai veçse duhet të ketë arsimin minimal, të mesmen, duhet parapërgatitje profesionale dhe atij i duhet të paktën një vit punë eksperiencë që të jetë në gjendje që detalet t’i prodhojë me saktësi të plotë. Do kohën e domosdoshme për ta përgatitur këtë njeri. Por edhe kjo arrihet maksimumi brenda dy viteve për një brez të ri specialistësh.

Industria ka shumë hallka dhe fusha që ndërlidhen dhe duhet një grup i mirë inxhinierësh që ta mbajnë gjallë këtë. Plus teknikët që duan përgatitje me kujdes të madh. Në vitet ’90 ne furnizonim me automatikë policinë turke. Prodhoheshin mijëra copë, PM4 apo PM5 dhe nuk pati asnjë vërejtje, prodhim me standard turk, me një kosto minimale dhe ia arritën. Por duke degraduar punët dhe abuzuar lanë pa punë njerëzit, shkatërruan makineritë që janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe zhdukën lëndën e parë.

Referuar kontekstit, akoma jemi në luftë ne fqinjët, vetëm para dy ditësh kërkuam heqjen e ligjit të luftës me Greqinë, si duhet të veprojmë vetë, si do ta gjykonte një ushtarak këtë?

Një ushtarak do ta gjykonte kështu. Ata që shkatërruan industrinë ushtarake, bazat e furnizimit dhe të gjithë atë armatim duhet të japin llogari. Ne kishim, sipas raporteve që janë dhënë në parlament pas vitit 1997, u raportua për 2.2 milionë kallashnikovë, sot kanë ngelur 7 mijë. Ne mund ta ngremë prapë, mund të prodhojmë prapë, por mund t’i shkatërrojmë prapë. Ne i kishim, pse i shkatërruam?

Ne kishim artilerinë fushore që arrinte të paktën 4 mijë topa. Sot nuk kemi asnjë. Ka qenë një politikë qorre nga ’90 dhe deri këtu. U hodh ideja se nuk kemi më armiq. Por bota nuk gjykon kështu. Fqinjët përgatitën terrenin këtu që sot të jemi pa asgjë. Kështu që t’i hyjmë kësaj pune duhet politikë shtetërore serioze që vendi të mos çarmatohet deri në këtë gjendje. Sikur u çarmatos Ukraina, që ka qenë fuqi bërthamore.

U bë e njëjta politikë. Kishte 4 mijë mbushje bërthamore, prodhonte të gjitha llojet e aeroplanëve dhe raketave. Erdhi puna që atje nuk kishte as oficer ushtria, as industri, çdo gjë ishte braktisur, rrënuar dhe tani që kur filloi agresioni lyp lart e poshtë, armë, pajisje dhe tanke, etj. Në kohën që i kishte. Ne nuk kemi asgjë. Dhe me atë ushtri minimale që kemi. Pajisje fare minimale. Me një organizim përtokë. Nuk kemi një program mbrojtje. Një strategji mbrojtje. Nuk kemi strategji mbrojtje.

Kemi këshill mbrojtje, ca njerëz që marrin lekët lart e poshtë, por jo një program mbrojtje, një plan mobilizimi. Çfarë do të bëhet në një rast agresioni? Sepse ne sot i kemi miq, por bota nuk gjykon me këtë. Sot e kemi mik, por nesër mund ta kem armik. Luftë botërore nuk do të ketë më. Nuk e pranon as SHBA, as Kina, as Rusia dhe as Europa. Pavarësisht nga zhurma. Por do të ketë luftëra lokale si në Ukrainë, Afganistan. Luftëra lokale do të ketë sepse janë burimi që shiten armatimet, stoqet, ushqimet, veshjet, ndihmat, etj. Është treg dhe do të ketë gjithmonë luftëra lokale. Ne patëm Jugosllavinë derisa u shkatërrua komplet, u bënë ato masakrat…

Serbia është fuqia e parë rajonale për armatim…..

Serbia e ka ruajtur industrinë e saj. Rreth 100 uzina. Një pjesë i ka në Bosnje. Bashkëpunon me shumë vende për t’i mbajtur në këmbë, aq sa ka mundësitë, por nuk i shkatërroi. Ne ndoqëm një strategji tjetër. Shkatërruam cdo gjë sepse na dolën të gjithë miq. Greqia nuk e heq ligjin e luftës.

Përse e mban, kot? Jo ore, nesër, pasnesër mund t’i hyjë në punë ai ligj. Kështu që edhe shteti më i dobët dhe më i humbur mendon për mbrojtjen e tij, për ekzistencën e tij. Një nga detyrat dhe funksionet e shtetit është mbrojtja e vendit, nëse nuk është në gjendje ta bëjë këtë, nuk është më shtet, ka mbaruar.

Më jepni një koment edhe për Greqinë, për çfarë mund t’i hyjë në punë ligji i luftës?

Në rast të një acarimi të një situate, krijimi i kushteve të një provokacioni, ose lufte lokale, ai ligj është në rregull, sepse thotë (Greqia) “unë jam në gjendje lufte me Shqipërinë. Kam ligjin e luftës dhe nuk e kam hequr dhe më jep të drejtën të ndërhyj”. Duke ditur edhe dobësinë e shtetit tonë.

Pra mund të sulmojë pa paralajmërim?

Pa paralajmërim dhe ne themi na mbron NATO. Ne dhe Greqia dy shtete të NATO-s, se po bëj politikë dhe nuk më takon. Por ne kemi shembuj që dy shtete të NATO-s janë kacafytur me njëri tjetrin, Greqia me Turqinë kanë 30 vite në luftë. Të dyja janë anëtarë të NATO-s dhe sot luftojnë me njëri tjetrin.

Prandaj ajo teoria se na mbron NATO, harroje atë. Përderisa NATO nuk vendos rregull tek dy anëtarët që kacafyten tek njëri tjetri….Ajo mbrojtje ka vlerën e vet por nuk duhet absolutizuar. Duhet të mbrohesh vetë. Po nuk qe në gjendje të mbrohesh vetë, ndihma mund të vijë kur të kesh mbaruar. Nëse je në gjendje të fortë nuk do të guxojë tjetri të vijë të të ngacmojë tek shtëpia jote.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit