Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç u shpreh se Gjermania nuk po i përgjigjet Serbisë për rastin e Faton Hajrizit, si dhe për rolin që ka pasur vëllai i tij, Artan Hajrizi, të cilit iu gjetën dokumentet pas vrasjes së policit serb në Loznicë.
“Ne e pyesim Gjermaninë nëse ai ishte vërtet në Gjermani, por ata nuk përgjigjen. Ata nuk u përgjigjen këtyre pyetjeve dhe çdo ditë i bëjnë presion Serbisë për atë që ndodhi në Banjskë.
Hajde, përgjigjuni pyetjeve të thjeshta – a ishte ai në Gjermani dhe nëse po, si arriti atje. Është pyetje edhe për EULEX-in se nuk i kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar, të INTERPOL-it pasi ka arratisur nga burgu”, ka thënë Daçiç.
Daçiç tha se kishte dyshime për identitetin e Faton Hajrizit sepse edhe sot autoritetet serbe nuk kanë dokumente në emër të tij, por “në emër të vëllait të tij Artan Hajrizit, pasaportë të Kosovës dhe letërnjoftim gjerman”.