Fredi Beleri u kthye këtë të shtunë pasdite në burgun e Fierit, ku do të vuajë muajt e mbetur nga dënimi për korrupsion zgjedhor. I shoqëruar nga Petro Gjikuria, Beleri tha se nuk e përdori imunitetin si eurodeputet.
“U ktheva se këtu në Shqipëri është shtëpia ime, këtu dua të jetoj dhe jam i bindur për drejtësinë time. Në mos në gjykatat shqiptare, në gjykatat europiane”, tha Beleri.
Sa i përket zgjedhjeve të Himarës, Beleri u shpreh besimplotë se Gjikuria do ta fitojë garën kundër Vangjel Tavos. “Jam shumë i gëzuar që më shoqëroi sot në burg kandidati për bashkinë e Himarës, zoti Petro Gjikuria, një djalë i mirëfilltë nga Himara, që s’ka lidhje me mercenarët që sjell pushteti për të komanduar Himarën.
Himara në duart e Petro Gjikurisë do të jetë e sigurt, Himara do të ketë vend në Bruksel, do të ketë vend në Amerikë, do të jetë pjesë e një Shqipërie europiane dhe që këtej e tutje na presin vetëm ditë të mira”, tha ai.