“Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime për vazhdimësinë”, kështu shprehet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, pas rinovimit të kontratës me trajnerin Silvinjo.
“Projekti i nisur me trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, Zabaleta e Doriva, nuk mund të ndalej.
Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime për vazhdimësinë dhe tani edhe e kemi konkretizuar me hedhjen e firmës mbi kontratë, deri në dhjetor të vitit 2025”, shkruan Duka.
Kreu i FSHF po ashtu thekson se tanimë e gjithë vëmendja do të jetë për të shkuar për herë të parë në kupën e Botës.
“Që në fillim kishim synim kualifikimin në Euro 2024 dhe ia dolëm. Tani e gjithë vëmendja është për të shkuar për herë të parë në Kupën e Botës.
Besimi se mund t’ia dalim është prezent dhe stafi teknik, futbollistët dhe e gjithë Federata do të punojnë për të arritur këtë qëllim”, shton Duka.