Ministri i Financave, Ervin Mete njoftoi sot se koncesioni i markimit me kosto për qytetarët 1 lek në çdo një litër karburant nuk do të rinovohet më. Shërbimi do të menaxhohet nga vetë shteti.
“Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet.
Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit” tha ai.
Deputeti Agron Shehaj zhvilloi një interpelancë me ministrin e Financave, Ervin Mete në lidhje me kontratat koncesionare.
Shehaj ngriti shqetësimin se pavarësisht miliarda eurove të PPP-ve ka një mungesë total mbi respektimin e kontratave koncesionare.
“Pavarësisht miliarda eurove të PPP ka një mungesë totale informacioni mbi respektimin e kontratave koncesionare. Ne dimë sa para jep shteti koncesionarëve, por nuk kemi asnjë informacion mbi ecurinë e investimeve që privatet duhet të kishin bërë.
Nuk dimë nëse këto investime janë bërë brenda afateve. Ne nuk dimë nëse koncesionari ka plotësuar kushtet e kontratës. Këto kontrata janë hartuar në interes të koncesionarëve dhe jo qytetarëve. Vetë kontratat nuk kanë logjikë ekonomike të përbashkët.
Rruga e Arbrit psh, një investim prej 74 km, në terren të vështirë, investimi i parashikuar 265 mln euro. Rruga Thumanë Kashar 20 km, fushore, 224 mln euro. Si ka mundësi kjo? Mos vallë janë fryrë kostot e rrugës Thumanë -Kashar?
A keni bërë verifikime për këtë? A keni monitoruar këtë kontratë koncesionare se në raportin që keni publikuar me një vit e gjysmë vonesë mungon koncesioni Thumanë-Kashar. Do të doja të dija pse e keni mbajtur të fshehur këtë koncesion” tha ai.