Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi akuzoi sot se “detyrimi me forcë i bizneseve turistike që kanë kontratë të rregullt me Ujësjellës-Kanalizime për ujrat e ndotura, për të blerë impante për përpunimin e tyre, që kushtojnë nga 20 deri në 100 mijë euro, në të kundër u rrezikohet heqja e licencës, nuk është gjë tjetër veçse paligjshmëri”.
Ai tha se është kriminale vendosja e gjobave ndaj bizneseve nga 15 milion në 30 milion lekë, për të cilat vetëm në gjykatë mund të ankohesh. “Gjobat ndaj bizneseve turistike që kanë kontrata të rregullta me shtetin janë zhvatje me licencë qeveritare ndaj duhet të ndalen urgjentisht.
Partia e Lirisë solidarizohet me të gjithë sipërmarrësit e ndershëm në fushën e hotelerisë në bregdet dhe i bashkohet thirrjes së shoqatave të turizmit për t’i dhënë fund raprezaljes ndaj tyre.
I bëjmë thirrje dyshes së babëzitur Balluku-Kumbaro të ndryshojë udhëzimin që favorizon shitësit e impianteve të ujrave të zeza dhe që nuk synon aspak mbrojtjen e mjedisit. Task-Forca gjobëvënëse duhet të ndalë urgjentisht shantazhet, kërcënimet dhe zhvatjet ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë në bregdet” tha ai.