Me regjisorin dhe skenaristin e mirënjohur, Bujar Alimani, i cili solli një shije të patjetërsueshme në artin e kinemasë, u takova para një jave në Bronx, New York. Po më priste në një kafe me pronar shqiptar, duke dëgjuar këngën legjendare që shoqëron vallen e “Osman Takës”. Ishte gati të ngrihej në valle si djalë Çamërie. Rrallë kam njohur njeri kaq të talentuar, modest, atdhetar dhe human.
Besoj të gjithë e mbani mend se në janar të vitit 2020 filmi shqiptar “Delegacioni”, (realizim i vitit 2018) me regji të Bujar Alimanit, ishte përzgjedhur për çmimin “Oscar”. Deri atëhere filmi shqiptar nuk kish njohur ndonjëherë kaq shumë sukses në skenat ndërkombëtare. M’u duk e pabesueshme në atë kohë. Ishte një ngjarje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare.
Përzgjedhja në kompeticione ndërkombëtare të filmit siç dihet është e vështirë, pasi nuk konkuron dot me vepra të mbushura me klishe, por me vepra që mbartin background të thellë social e human. Çmimet që mori filmi “Delegacioni”, si “Çmimi i Madh” në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit të kategorisë A në Varshavë, vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. “Delegacioni”, i konsideruar si një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, u shfaq edhe në shumicën e festivaleve ndërkombëatare. Madje u shpërblye edhe me çmimin “Ecumenical”, një çmim për marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmin, që e jep në thelb Federata Katolike e Varshavës, e suportuar nga Vatikani.
Pas suksesit të filmit “Delegacioni”, në vitin 2021 regjisori Bujar Alimani u rikthye sërish në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në edicionin e tij të 37-të, me filmin “Virgjëresha shqiptare”, një produksion shqiptaro-gjerman, me një kohëzgjatje prej 120 minutash, ku bashkoheshin kanuni, komunizmi dhe femra shqiptare, përmes historisë tragjike të një “burrneshe”. Filmi na përball me figurën e femrës shqiptare në kohërat e vështira të jetës zakonore në vendin tonë.
Një histori mjaft tronditëse, ku protagonistja braktis dashurinë e saj, për hir të Kanunit dhe ligjeve tradicionale që qeverisin shoqërinë shqiptare. Ky film, i financuar edhe nga Eurimage, ka fituar disa çmime ndërkombëtare, mes të cilëve në Festivalin e Filmit në Varshavë të Polonisë, ku u zhvillua një premierë Botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, dhe në Ostende në Film Festival, në Belgjikë.
Filmat “Virgjëresha”, “Fluturat”, “Amnistia”, “Vëthi i munguar”, etj. mund t’i konsiderojmë kryevepra të llojit të vet. Opusi kinematografik i Alimanit, me një mori veprash, ngërthen në vetëvete një mozaik vlerash humane, me skena fantastike dramash rrënqethëse, me një dinamikë portretesh autentikë, personazhe në zhvillim progresiv, që nuk janë gjë tjetër veçse lodra në duart e rrethanave. Filmat janë brujtur me një simbolikë të rrallë, imazhe turbulluese dhe sfida të madha konvencionale.
Alimani na paraqet personazhe të tëhuajtur brenda shoqërisë, viktima të saj, fati i të cilëve vendoset nga rastësitë.(Kujtojmë filmat “Busulla”, “Zois”, “Brava”, “Krom” etj). Kryvlera që bartin veprat e tij është humanizmi, përqendrimi tek njerëzit e thjeshtë. Një virtyt i tillë kërkon shpirt human, një zemër të madhe, dashuri për njeriun, pa dallim. Filmat e tij na ofrojnë një pamje humane, edhe në rrethanat më tragjike, duke nxitur një provokim të thellë shoqëror e politik, duke i yshtur shqiptarët të shohin realisht historinë e tyre, pa doreza. Të pastrojnë memorien, llogarinë me të shkuarën.
Arti filmik i regjisorit Alimani mishëron ëndrrën e shumë njerëzve të realitetit shqiptar, duke krijuar aureolën e gjithë kompleksitetit human në një projeksion ku janë shpresat e dëshirat, komplekset nga të cilat kërkohet çlirimi, kënaqja e shpirtit, lundrimi në ditë e kaluara, nostalgjia…dhe absurdi padyshim. E theksojmë se gjithë krijimtaria e tij është në shërbim të humanizimit të shpirtit njerëzor dhe lartësimit të idealeve humaniste të paqes e vlerave të ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Vokacioni kombëtar i regjisorit Alimani spikati edhe gjatë eventit “Noli Film Festival”, që u zhvillua nga data 31 maj deri në 2 qershor 2024 në katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit dhe është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston, SHBA. Në rolin e drejtorit artistik Alimani, së bashku me stafin e festivalit, bënë të gjitha përpjekjet që ky kompeticion dinjitoz të eksportonte te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare, duke zgjedhur 27 filma me autorë nga Shqipëria, Kosova e dhe Maqedonia e Veriut. Në festival u paraqiten filma artistikë, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe të animuar.
Kjo ishte një festë artistike e filmit shqiptar, që u mbështet edhe nga “Vatra”. “Qëllimi ishte që t’i sjellim emigrantëve shqiptarë të Bostonit e më gjerë, krijime të artistëve tanë, të takojmë njëri-tjetrin, të shmallemi, të bisedojmë e të mendojmë edhe për festivale të tjerë në Boston, tha regjisori Alimani.
Të merresh me ndërgjegjen kombëtare në radhë të parë tënden dhe më pas të bashkëatdhetarëve të tu, është një gjë jashtëzakonisht e madhe. Ne i jemi borxhli ndërgjegjes kombëtare në përgjithësi dhe, nëse do të flisja edhe si artist me origjinë çame, pjesë e diasporës shqiptare në Amerikë, padyshim që i detyrohemi deri sa të kemi frymë Çamërisë sonë të shenjtë”, u shpreh gjatë bisedës regjisori Alimani.
Në filmat e tij regjisori Alimani e ka shumë të fortë edhe elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social-politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. Në filmat si “Delegacioni”, “Virgjëresha shqiptare”, “Fluturat”, etj, vetëm një fill i hollë e ndan aspektin kohor me aktualitetin.
Një pjesë e mirë e filmave të Alimanit janë një aktakuzë për komunizmin dhe postkomunizmin, për vizionin kontrovers të tyre në shkatërrimin e moralit humanist kombëtar. Në filmin e tij “Fluturat”, që shënjon një arritje kulmore në fondin e filmit dokumentar, realizuar me historitë tronditëse të 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në Gradishtë të Lushjes, regjisori Alimani ndihmon në sensibilizimin e ndërgjegjes kombëtare mbi regjimin komunist, ndërkohë që produksioni shërben edhe për të huajt, për t’u njohur me këtë pjesë të hidhur të atij realiteti.
21 femrat e internuara te “Fluturat”, edhe kur gjenden në llumin e errësirën më të madhe, kokëfortësisht nuk i humbin shpresat, por vazhdojnë të ëndërrojnë për një dritë, një diell që do t’ua ngrohë ditët. Vepra të tilla autori kumton mesazhet më universale, duke u futur në margjinat e shoqërisë, m’u aty ku vlon e ngjizet humanizmi i vërtetë, njerëzillëku e thjeshtësia.
Kompozimet të tilla, pa poza aktrimi, janë fine e të madhërishme. Regjisori Bujar Alimani krijon filma kompleks e universalë, shpesh herë pa ndihmën e dialogut, kryesisht përmes gjesteve dhe lëvizjes. Kështu i ikën me mjeshtëri klishesë. Sot kemi nevojë për artistë dhe krijues të tillë, me një këndvështrimi të ri realist, përballë dilemave morale të shoqërisë dhe ndërgjegjes së bjerrur kombëtare.